Showbiz

Vdiq në moshën 98-vjeçare legjenda e komedisë Carl Reiner

Descriptive Text

Carl Reiner, regjisori veteran i filmave komikë, i lartësuar për rolin e tij të dyfishtë me Mel Brooksin, si dhe për regjimin e një sërë komedish hit, përfshirë “The Jerk” dhe “The Man With Two Brains”, ka vdekur të martën në moshën 98-vjeçare, transmeton Koha.

Revista “Variety” ka konfirmuar lajmin, duke raportuar se publicisti i tij ka pretenduar se Carli ka vdekur nga shkaqet natyrore të hënën mbrëma, në shtëpinë e tij në Beverly Hills.

I biri i tij, producenti Rob Reiner, në rrjetet e tij sociale ka shkruar: “Mbrëmë babai im ndërroi jetë. Përderisa po shkruaj, po më dhemb zemra. Ai ishte drita ime udhëheqëse”.

Bashkë me Brooksin, Reiner u shndërrua në ikonë të komedisë hebraiko-amerikane për filmin e famshëm “The 2000 Year Old Man”, i cili u shfaq për herë të parë në vitin 1960. Dyshja u lartësua edhe për punën si skenaristë të komedisë tjetër televizive hit “Sid Ceasar”, si dhe për “Your Show of Shows”. Reiner ua vuri nënshkrimin e tij për hitin e madh në televizion “The Dick Van Dyke Show”, para se të vazhdonte rrugëtimin drejt famës si regjisori i filmave më të njohur të Steve Martinit. Gjithashtu, edhe i biri i tij, Rob, u njoh si producent i shquar filmi, duke qëndruar prapa hiteve si “When Harry Met Sally”, “Stand By Me” dhe “This Is Spinal Tap”.

Industria e filmit dhe televizionit e ka cilësuar vdekjen e Reinerit si humbje të një regjisori madhor. Alan Alda ka shkruar në një postimi në Twitter se “talenti i tij do të jetojë për një kohë të gjatë, por humbja e tij na la boshllëk në zemrat tona”. Ndërkaq William Shatner në rrjetet sociale ka shkruar se “si krijues i Sid Ceasarit për të rikrijuar ato kohë për shfaqjen Dick Van Dyke, Carl ishte një mjeshtër në zanatin e tij”.

Josh Gad ka shkruar: “Lamtumirë për një nga mendjet më të mëdha komike të të gjitha kohërave! Faleminderit që na bëre gjithnjë të qeshur dhe të gëzuar!".

E aktorja Mia Farrow ka shkruar: “E humbëm një person që na dha kohë të shkëlqyeshme, të qeshura të panumërta. Ai ishte i shkëlqyeshëm dhe i sjellshëm ... Ai ishte me ne nëpër periudha të mira dhe kohë të vështira. Faleminderit Carl Reiner!”.

Edhe guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka shprehur ngushëllimet e tija përmes Twitter. “Carl Reiner bëri komedi televizive që shikohen edhe sot. Ai e bëri Amerikën të qeshë, kishim një dhuratë të vërtetë. New York shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë e tij”.

I lindur në New York, në vitin 1922, Reiner ishte djali i emigrantëve hebrenj në SHBA dhe shërbeu në forcat ajrore amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasi iu bashkua ushtrisë, Reiner u fut në botën e showbizit, duke zënë një vend të rëndësishëm në “Your Show of Shows” më 1950, ku ai do të bashkëpunonte me Brooksin dhe Neil Simonin.

Falë suksesit të tij, Reiner kaloi në krijimin e filmave artistikë, debutimin në të cilën fushë e pati si regjisor i “Enter Laughing” më 1967, përshtatur nga autobiografia e tij që mbërthente fëmijërinë e tij dhe përpjekjen për të shpërthyer në fushën e shfaqjeve.

Filmat pasues përfshinë komedinë e George Burns “Oh God”! dhe komedinë e Henry Winklerit “The One and Only”.

Në atë që do të bëhej një bashkëpunim i rëndësishëm, Reiner u kërkua nga skena e atëhershme dhe komediani i televizionit Steve Martin, për ta drejtuar filmin e tij debutues të 1979-s “The Jerk”. Më pas, dyshja bashkëpunoi në tre filma të tjerë radhazi – “Dead Men Don’t Wear Plaid” (1982), “The Man with Two Brains” (1983) dhe “All of Me” (1984) – që të gjitha të suksesshëm.

Në dekadat e mëvonshme ai u ngrit në statusin e një legjende të vërtetë, duke u shfaqur në emisionet televizive si “Frasier”, “King of the Hill”, “The Larry Sanders Show” dhe “Ally McBeal”.

Reiner ishte një demokrat i përkushtuar dhe kundërshtar i njohur i presidentit aktual amerikan, Donald Trump. Ai gjithë kohës ishte aktiv në rrjetet sociale dhe një nga postimet e tija të fundit ishte pikërisht kritika adresuar Trumpit: “Një biznesmen i falimentuar dhe i korruptuar që nuk kishte asnjë kualifikim për të qenë udhëheqësi i ndonjë vendi në botën e civilizuar”.

Në vitin 1943 ai u martua me këngëtaren Estelle Lebost, e cila do të bëhej e njohur për rolin në filmin e të birit të saj “When Harry Met Sally”. Lebost vdiq në vitin 2008 dhe që prej asaj kohe Reiner ishte nën përkujdesjen e tre fëmijët e tyre - Rob, Sylvia dhe Lucas.