Grupi “The Rolling Stones” kërcënon se do të ngrit padi kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për shfrytëzimin e paautorizuar të muzikës së tyre në fushatat politike.
Bendi ikonik i muzikës rok i drejtuar nga vokalisti Sir Mick Jagger, ka zbuluar se avokatët e bendit bashkë me organizatën për të drejtat autoriale “BMI” ia kanë dërguar një letër presidentit, duke e paralajmëruar që nëse vazhdon ta shfrytëzojë muzikën e tyre pa autorizim, ata do të detyrohen të ndërmarrin masa ligjore kundër tij, transmeton Koha.
Letra në fjalë i është dërguar ekipit të udhëheqësve të fushatës së Trumpit, pak kohë pasi kënga e bendit “You Can't Always Get What You Want” ishte transmetuar në një tubim politik në Tulsa të Oklahomas.
Ndërkaq për portalin “Deadline”, organizata “BMI” ka bërë të ditur: “Fushata e Trumpit e posedon një licencë të subjekteve politike e cila i autorizon ata për përdorimin e më shumë se 15 milion këngëve nga repertori i organizatës ‘BMI’, kurdo që mbahen ngjarje të tilla politike. Sidoqoftë, ekziston një dispozitë e cila ia mundëson organizatës sonë që t’i largojë nga kjo licencë këngët të cila nuk e kanë lejen e autorit për t’i përdorur në ndonjë fushatë politike. ‘BMI’ e ka pranuar një kërkesë të tillë nga bendi ‘The Rolling Stones’ të cilët refuzojnë shfrytëzimin e këngëve të tyre në fushatat e Trumpit, prandaj edhe i kemi larguar ato nga licenca jonë. Kështu, i këshillojnë udhëheqësit e fushatave politike të Donald Trumpit, që në të ardhmen të mos i përdorin këngët e grupit të njohur, ngase kjo konsiderohet shkelje e marrëveshjes së licencës me organizatën BMI.”
Bendi legjendar i muzikës, “The Rolling Stones”, në vitin 2016 ishte distancuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Anëtarët e bendit përmes një mesazhi të postuar së fundmi në Twitter, kanë deklaruar se nuk e mbështesin Donald Trumpin dhe hiti i tyre, “You Can't Always Get What You Want”, është shfrytëzuar pa leje.