Showbiz

Filmi i ri i Charlize Theronit, “The Old Guard” do të shfaqet në Netflix

Kompanitë Netflix dhe Skydance i kanë publikuar fragmentet e para të filmit të tyre të ri, “The Old Guard”, i cili bazohet në novelën grafike me të njëjtin titull të autorëve Greg Rucka dhe Leandro Fernandez. 

Filmi e rrëfen historinë e një luftëtareje të quajtur Andy, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur hollywoodiane Charlize Theron. Ajo së bashku me grupin e saj të luftëtarëve mercenarë janë të pavdekshëm, dhe teksa e zbulojnë një person të ri me aftësitë e tyre dhe fillojnë ta trajnojnë për të luftuar, ata mësojnë se dikush e ka mësuar sekretin e tyre dhe kështu detyrohen të luftojnë për liri.

Theron në të kaluarën ishte deklaruar për portalin Vanity Fair, se personazhi i saj Andy e ndien peshën e mijëra viteve histori, para se të detyrohet ta marrë përsipër misionin e saj të ri.

Regjinë e këtij projekti e ka bërë regjisorja e filmave “Beyond the Lights” dhe “The Secret Life of Bees”, Gina Prince-Bythewood, derisa në role protagonist përveç Theronit i ka angazhuar edhe yjet: Chiwetel Ejiofor, Marwan Kenzari,  Matthias Schoenaerts dhe Luca Marinelli.

“The Old Guard” do të fillojë së shfaquri në platformën digjitale Netflix, nga 10 korriku i këtij viti.