Showbiz

Helen Mirren, aktorja e vlerësuar skenike, televizive dhe kinematografike

Helen Mirren është një aktore e nderuar me çmime të shumta, dhe e njohur për role filmike dhe televizive në projekte të tilla, si: “Prime Suspect”, “Caligula”, “Shadowboxer”, “Elizabeth I” dhe “The Queen”.

Emri i vërtetë i aktores është Illiana Lydia Petrovna Mironova , dhe ajo u lind më 26 korrik të vitit 1945 në Chiswick të Londrës. Ajo ishte fëmija i dytë nga tre fëmijët, dhe familja jetonte një jetë të thjeshtë të klasës së mesme shoqërore. Kur aktorja ishte vetëm 9-vjeçare, babai i saj, i cili e kishte prejardhjen nga një familje aristokrate ruse, e ndërroi mbiemrin e familjes në Mirren, transmeton Koha.

Hellen qysh në fëmijëri kishte filluar të joshej nga teatri, dhe në moshën 13-vjeçare arriti të përfshihej në një shfaqje amatore. Por, meqë prindërit nuk e kishin përkrahur pasionin e saj për aktrim, ajo ishte dërguar në një shkollë katolike në Southend-on-Sea. Sërish atje ishte zbuluar talenti i saj nga një mësues i artit, i cili edhe e kishte nxitur të merrej me aktrim, por e ëma e detyroi Mirrenin ta ndjekë kolegjin për mësimdhënie, në mënyrë që ta ketë dhe një profesion stabil, në rast se i dështon karriera si aktore.

Me t’i mbushur 20 vjet, aktorja arriti ta sigurojë një rol në shfaqjen e vitit 1965 “Antony and Cleopatra”. Performanca e mrekullueshme në këtë projekt teatral i ndihmoi ta gjejë një menaxher, si dhe një punë në teatrin “Royal Shakespeare”. Ajo filloi të luajë role kontroverse me skena të shumta seksuale në shfaqje të tilla, si “The Revenger's Tragedy”, “Troilus and Cressida” dhe “Macbeth”. Këto role ia fituan aktores nofkën “Mbretëresha Seksi e Stratfordit”, të cilën e përfaqësoi me shumë krenari.

Karriera filmike e Mirren-it filloi në vitet ’80, kur arriti të angazhohej me një rol në filmin “Caligula” dhe ku aktroi krahas yjeve Malcolm McDowell dhe Peter O'Toole. Tutje ajo e vazhdoi karrierën e saj kinematografike me filmat: “The Long Good Friday”, “Excalibur”, “Cal”, “White Nights”, “Mosquito Coast”, “The Cook”, “Thief, His Wife & Her Lover” dhe të tjerë. Në mesin e këtyre performancave ajo përveç famës ndërkombëtare, arriti t’i fitojë edhe disa çmime të rëndësishme.

Në vitin 1992, Mirren e siguroi një rol depërtues në një seri televizive, duke e portretizuar detektiven Jane Tennison në serinë “Prime Suspect”. Para se ky projekt të përfundonte në vitin 2006, aktorja arriti t’i fitojë disa çmime “BAFTA” dhe “Emmy”. Aktorja vazhdoi të shkëlqejë edhe më tutje në skenën teatrale me role në shfaqjet “A Month in the Country” dhe “Dance of Death”.

Kah fundi i viteve ’90 dhe gjatë viteve 2000, karriera e Mirrenit në film i arriti majat e suksesit. Ajo e fitoi nominimin e parë për çmim “Oscar” në vitin 1996, për rolin e saj në filmin “The Madness of King George”. Kjo performancë gjithashtu ia fitoi asaj çmimin “Palma e Artë” në kategorinë “Aktorja më e mirë”, në festivalin e filmit në Kanë, si dhe dy shpërblime të tjera “BAFTA”. Mirren vazhdoi të luajë në filma të vlerësuar nga kritika, si: “Gosford Park”, “The Last Station”, “Red”, “Hitchcock”, “The Hundred-Foot Journey”, “Trumbo” dhe të tjerë.

Reputacionin e aktores së listës A në Hollywood, aktorja e fitoi pas portretizimit të shkëlqyer të mbretëreshës Elizabeta e Dytë në filmin “The Queen”. Ky rol ia fitoi asaj shpërblimin e parë “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mirë”. Ndërsa për portretizimin e mbretëreshës Elizabeta e Parë në filmin e kanalit HBO, “Elizabeth I”, Mirren, e fitoi një shpërblim “Globi i Artë” dhe një “Emmy’.

Në vitin 2017, Helen u bashkua me aktorin Donald Sutherland për realizimin e filmit “The Leisure Seeker”, një dramë kjo e cila u vlerësua nga kritikët e filmit, kryesisht për lojën e sinqertë të dy aktorëve që e portretizonin një çift në moshë të shtyrë, të cilët e nisin një udhëtim të fundit të jetës së tyre. Tutje aktorja vazhdoi me një rol në filmin horror të vitit 2018, “Winchester”, si dhe e portretizoi nënën e personazhit të Jason Statham-it në filmin e vitit 2019 “Hobbs & Shaw”. Rolet e fundit të aktores ishin në filmat “Catherine the Great” dhe “The Good Liar”, ku ajo luajti krahas aktorit Ian McKellen.

Si e re, Helen Mirren kishte deklaruar se nuk do të martohej kurrë, por megjithatë në vitin 1997 ajo vendosi ta kurorëzonte lidhjen e saj me Taylor Hackfordin, me të cilin edhe sot jeton mes dy qyteteve, Los Angelesit dhe Londrës.

{gallery}