Showbiz

Channing Tatum dhe Jamie Foxx në varrimin e George Floydit

Aktorët e njohur hollywoodian, Jamie Foxx dhe Channing Tatum, ishin në mesin e qindra personave të mbledhur në një kishë në Houston, me rastin e varrimit të George Floydit.

Afrikano-amerikani Floyd, vdiq muajin e kaluar teksa po arrestohej nga policia në Minneapolis, dhe vdekja e tij shkaktoi protesta kundër padrejtësive dhe racizmit, anembanë botës.

Ai u varros të martën në kishën “Fountain of Praise”, në vendlindjen e tij.

Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Jamie Foxx dhe ylli i filmave “Magic Mike”, Channing Tatum, e ndoqën ceremoninë mortore të veshur me këmisha të bardha dhe maska në fytyrë. Madje, 52-vjeçari Foxx e kishte zgjedhur një maskë me emrin e Floydit, transmeton Koha.

Gjithashtu, në mesin e 500 personave që e ndoqën këtë varrim, një numër ky i limituar për familjarët dhe disa të ftuar special për shkak të pandemisë së koronavirusit, ishin edhe këngëtari Ne-Yo, boksieri i famshëm Floyd Mayweather, ylli i futbollit amerikan JJ Watt, DJ Reader dhe producenti muzikor Al B Sure.

Ndërkaq përmes një videolidhjeje, kandidati presidencial demokrat, Joe Biden, e dha një fjalim prekës.

“Për familjen dhe miqtë e Floydit: Unë dhe Jill e njohim zbrazëtinë e thellë në zemrat tuaja, kur e varrosni një pjesë të shpirtit tuaj në dhe. Siç iu kam thënë privatisht, ne e dimë si po ndiheni. Fëmijëve dhe nipave e mbesave të tij, iu them që e di se po ju mungon babai dhe gjyshi. Gianna, siç të thash kur të takova dje, ti je një vajzë e guximshme dhe babai yt vazhdon të kujdeset për ty, dhe po ndjehet shumë krenarë… E di që ke shumë pyetje e dashur. Asnjë fëmijë nuk do të duhej të ketë aq shumë pyetje sikurse fëmijët afrikano-amerikan. Pse? Pse babai nuk është me ne? Pse kaq shumë njerëz të komunitetit tonë zgjohen me mendimin se mund ta humbin jetën e tyre në këtë shtet, vetëm duke u munduar ta jetojnë atë. Tani është koha e duhur për drejtësi racore. Kjo është përgjigja të cilët duhet t’ua japim fëmijëve tanë kur na pyesin, pse. Sepse kur të ketë drejtësi për George Floydin, ne me të vërtetë do të jemi në rrugën e duhur të drejtësisë racore në Amerikë. Dhe atëherë, siç ke thënë edhe ti Gianna, babai yt do ta ketë ndryshuar botën,” citohet të ketë thënë Biden.

46-vjeçari George Floyd vdiq më 25 maj pasi ish-polici, Derek Chauvin, i cili ia morri jetën duke i vënë gjurin në fyt për nëntë minuta, teksa po e arrestonte atë në Minneapolis. Incidenti ishte xhiruar nga disa kalimtarë, dhe videoja e shpërndarë online shkaktoi protesta anembanë botës.

Nga atëherë, të famshëm të shumtë e kanë nderuar Floydin me mesazhe ngushëlluese, pjesëmarrje në protesta dhe donacione të shumta, të tillë si: Beyonce, Jay-Z, Taylor Swift, Cardi B, Kim Kardashian West dhe John Boyega.