Showbiz

Malkovich thotë se u ngacmua seksualisht nga profesori

Aktori John Malkovich ishte ngacmuar seksualisht nga njëri prej profesorëve të tij, teksa studionte për teatrin në universitet.

66-vjeçari, i cili ndoqi studimet në “Eastern Illinois University” dhe “Illinois State Universitey”, së fundmi ka luajtur në dramën “Bitter Wheat”, të bazuar mbi të vërtetat e producentit të poshtëruar Harvey Weinstein, që u dënua për akuzat për dhunim dhe ngacmime seksuale të aktoreve, shkruan KOHA.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, Malkovich ka rrëfyer se ishte viktimë e ngacmimeve seksuale sa ishte në universitet.

“Kur isha i ri, kisha një profesor në departamentin e teatrit që bëri disa lëvizje të padëshirueshme. Isha 19-vjeçar, ndërsa ai kishte mbi 50 vjet. I thashë se nuk po bënte mirë. Kështu jeta vazhdoi. Pastaj u transferova nga aty, por nuk ndodhi shkaku i ngacmimit”, ka thënë ylli i filmit “Dangerous Liaisons”.

Sidoqoftë, Malkovich ka thënë se e kupton atë që kanë përjetuar gratë në duart e Weinsteinit. Producenti ishte akuzuar për shantazh ndaj aktoreve, të cilave sapo kishin refuzuar marrëdhënien me të ua kishte shkatërruar karrierën. “Situata me Weinsteinin është ndryshe. Ishte e tmerrshme për gratë, por edhe për idenë për punën”, ka thënë Malkovich. Aktori ka thënë se ishte befasuar për të mirë kur Weinsteinit iu shqiptua dënimi me 23 vjet burgim, pasi të gjithë kolegët i kishin thënë se producenti do të lirohej nga akuzat.