Showbiz

Filmi i ndaluar i arteve luftarake nga Singapori, publikohet në Youtube pas 45 vjetësh

Descriptive Text

Ylli Peter Chong kopjen e vetme të filmit e kishte mbajtur në frigorifer.

Ring of Fury, film i arteve luftarake nga Singapori, i cili ishte i ndaluar për më shumë se 30 vjet, tani mund të shikohet në Youtube, raporton NME.

I lëshuar në vitin 1973, filmi u refuzua nga censorët e shtetit dhe nuk u aprovua për shfaqje publike për shkak të “portretizimit të gangsterizmit dhe kryeneçësisë në kohën kur Singapori në mënyrë agresive po ‘pastronte’ imazhin kombëtar në publik,” thotë Arkivi Aziatik i Filmit (AFA).

Filmi famëkeq u tregua për herë të parë në vitin 2005, në një festival lokal të filmit në Singapor, para se të restaurohej nga AFA në vitin 2017.

Ylli i filmit Ring Of Fury Peter Chong i cili edhe në jetën e përditshme ishte mjeshtër i karatesë, në një intervistë në vitin 2017 tregoi pse ishte censuruar filmi në vitet e 70-ta.

“Është tregim i vërtetë i jetës në Singapor në fund të viteve të 60-ta, ku ende kishim banda të cilat mblidhnin haraç. Por censorët patën thënë se nuk mund të marrim ligjin në duart tona,” kishte thënë Chong, transmeton KOHA.

Chong ka pasur kopjen e vetme të filmit për shumë vite, dhe e kishte mbajtur në frigorifer deri sa AFA e morri për restaurim në vitin 2017.

Ky film është filmi i vetëm i arteve luftarake nga Singapori. I inspiruar nga filmi Fist of Fury i Bruce Lees, Ring of Fury e tregon tregimin e një shitësi të noodles i cili mësoi kung-fu për t’u hakmarrë për familjen e tij.