Krijuesi i hitit “Uptown Funk”, Mark Ronson, në të kaluarën kishte bashkëpunuar me këngëtaren Adele, në albumin e vitit 2008, “19”, por tani ai ka bërë të ditur se nuk është ftuar të punojë me yllin e famshëm në albumin e saj të katërt të incizuar në studio.
Ronson, i cili ka prodhuar këngë për yje të shumë të muzikës si, Lady Gaga, Bruno Mars, Miley Cyrus dhe ylli i ndjerë Amy Winehouse, për revistën “GQ” ka shpjeguar: “Nuk jam duke punuar në albumin e ri të Adeles prandaj nuk kam thashetheme për të ndarë me ju. Ne jemi miq të mirë, dhe jam i sigurt se albumi do të jetë e mahnitshëm, por unë nuk kam kontribuar në të.”
Së fundmi u bë i ditur lajmi se incizimi i ardhshëm i kantautores britanike, Adele, do të fokusohet në rrugëtimin e saj në jetë dhe eksperiencat si nënë, transmeton Koha.
Këngëtarja 32-vjeçare, e cila ishte e martuar me Simon Coneckin nga viti 2016 deri më 2019, pas shkurorëzimit ka vendosur të bëjë shumë ndryshime në jetën e saj, përfshirë këtu edhe muzikën të cilën e kultivon. Një burim i afërt i këngëtares ka deklaruar se ajo nuk dëshiron që Simon të vuaj apo të ndihet i turpëruar nga këngët e albumit të ri, pasi dyshja e kishte shijuar një lidhje të mirë dhe kanë vendosur të ndahen në mënyrë miqësore.
Adele, në veçanti nuk dëshiron që djali i tyre Angelo të mësoj për problemet e prindërve përmes muzikës së saj, sidomos tani që është rritur paksa dhe e kupton më mirë profesionin e së ëmës.