Gjaku i çiftit të njohur hollywoodian, Tom Hanks dhe Rita Wilson, do të shfrytëzohet nga studiuesit mjekësor të cilët janë duke e krijuar një vaksinë për koronavirusin. Lajmi vjen disa javë pasi dyshja e fitoi betejën me këtë sëmundje vdekjeprurëse.
Hanks dhe Wilson, ishin ndër të famshmit e parë të cilët u prekën nga COVID-19, sëmundje kjo e cila e infekton sistemin e frymëmarrjes dhe mund të jetë fatale sidomos për personat me imunitet të dobët, ose me sëmundje para-ekzistuese. Çifti ishte sëmurë nga koronavirusi gjatë kohës sa ishte në Australi ku, Tom Hanks, po e xhironte filmin e tij të ri një biografi e ikonës Elvis Presley e cila vjen me regji të Baz Luhrmannit, transmeton Koha.
Pasi e kishin bërë publike diagnozën dhe hyrjes në karantinë, duke i informuar fansat vazhdimisht rreth gjendjes së tyre shëndetësore, Hanks dhe Wilson, kishin arritur të shërohen plotësisht nga koronavirusi dhe u rikthyen në shtëpinë e tyre në Los Angeles.
Me të arritur në Shtetet e Bashkuara, çifti u regjistrua në një studim mjekësor për të përcaktuar nëse antitrupat e tyre, mund të jenë të dobishëm për shkencëtarët të cilët po punojnë në krijimin e një vaksine. Dhe tani, ylli i filmit “Saving Private Ryan” ka treguar se janë aprovuar për të dhuruar gjak, sepse janë bartës së antitrupave.
Hanks duke bërë shaka tha që në rast se gjaku i tij dhe i bashkëshortes do të jenë të dobishëm në luftën kundër koronavirusit, ai do të jetë përgjegjës për krijimin e “Hank-sinës”.
Gjatë një interviste të fundit, aktori tha: “Sapo mësuam që jemi bartës së antitrupave. Dhe jo vetëm që jemi kontaktuar nga studiuesit mjekësor, por ne edhe u kemi ofruar atyre gjakun tonë. Në fakt, do të dhurojmë gjak në të gjitha vendet të cilat punojnë në krijimin e vaksinës, të cilën unë shpresoj se do ta quajnë ‘Hank-sinë’,” citohet të ketë thënë Hanks.
Ylli i filmit “Forrest Gump” në të kaluarën kishte treguar se bashkëshortja e tij po ashtu aktore, Rita, kishte pësuar simptoma më të rënda të koronavirusit dhe në një moment ai ishte frikësuar shumë për shëndetin e saj.
Duke qenë se sot çifti gëzon shëndet të plotë, Hanks dhe Wilson, po punojnë shumë në vetëdijesimin e publikut rreth rreziqeve të cilat i parashtron COVID-19, si dhe vazhdimisht u bëjnë thirrje fansave që t’i respektojnë rregullat e vetizolimit dhe të kujdesen për njëri-tjetrin.