Showbiz

Dua Lipa performoi nga shtëpia në “The Late Late Show”

Descriptive Text

Në kohën kur izolimi dhe distanca sociale janë esenciale për ruajtjen e shëndetit, artistët po gjejnë mënyra të ndryshme për t’i argëtuar fansat e tyre.

Që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19, të gjitha organizimet, koncertet e pjesëmarrjet në emisione po mbahen “online”.

Duke e zëvendësuar studion e njohur të emisionit “The Late Late Show” me garazhin e shtëpisë së tij, njësoj ka vepruar edhe James Corden.

I titulluar #HomeFest, episodi special i këtij emisioni, të dielën solli në ekran disa prej yjeve më të mëdha të muzikës në botë. Nga shtëpitë e tyre, në shtëpitë tona, Dua Lipa, BTS dhe Billie Eilish interpretuan këngët e tyre më të pëlqyera të momentit.

Së bashku me bendin dhe valltarët e saj, Dua Lipa interpretoi këngën “Don’t Start Now”.

Ky interpretim i veçantë i Duas është pëlqyer shumë dhe është klikuar mbi 300 mijë herë në 24 orë.

Shikuesit dhe fansat e saj, e kanë komentuar si një prej videove më pozitive që kanë parë gjatë kësaj kohe, e në veçanti është komentuar lidhja dhe shoqëria që Dua e ka me bendin dhe valltarët.

Emisionin e së dielës, përfshirë interpretimin e Dua Lipës me miqtë e saj, mund ta shikoni në kanalin zyrtar të “The Late Late Show With James Corden” në YouTube.