Showbiz

Jolie e Jenner japin nga një milion dollarë për të luftuar koronavirusin

Ylli i Hollywoodit, Angelina Jolie dhe ylli televiziv, Kylie Jenner, kanë dhuruar nga një milion dollarë secila për të ndihmuar të prekurit nga pandemia koronavirus, njofton “Telengana Today”.

Jolie ka kontribuar, sikur edhe shumë herë në të shkuarën, në organizatën “No Kid Hungry” që kujdeset të mos ketë fëmijë të uritur, derisa Jenner dha donacion për spitalet në zonën e Los Angelesit për të blerë pajisje të nevojshme.

Gati 22 milionë fëmijë në SHBA mbështeten në ushqimin që marrin si ndihmë.

Lajmi për Jennerin, që është pronare e kompanisë kozmetike “Kylie Cosmetics”, e bëri të ditur mjeku Thais Aliabadi në Instagram.

"Një nga pacientët e mi, një engjëll i bukur, dhuroi vetëm 1.000.000 dollarë për të na ndihmuar të blinim qindra-mijëra maska, mburoja të fytyrës dhe mjete të tjera mbrojtëse”, ka shkruar Aliabadi.

Më herët edhe Arnold Schwarzenegger, çifti Ryan Reynolds e Blake Lively dhe Shawn Mendes kontribuuan në këtë kohë pandemie.