Showbiz

Bebe Rexha foli për sëmundjen e vet bipolare

Këngëtarja shumë e dashur për publikun e cila me prejardhje është nga Dibra, së fundmi e ka realizuar një intervistë mjaft të sinqertë dhe intime për revistën “Self”, ku për herë të parë ka folur për shëndetin e saj mendor.

Rexha ka treguar se në momentin e diagnostikimit me sëmundjen bipolare, ishte ndjerë shumë keq dhe ka hezituar të flas hapur për këtë gjë, ngase nuk ka dashur që njerëzit të mendojnë se “diçka nuk është në rregull me të”, transmeton Koha.net.

Ylli 30-vjeçar i muzikës që po ashtu është përfshirë në ballinën e numrit të ri të revistës “Self”, ka treguar se si e ka mposhtur frikën e saj dhe më në fund ta vendosur të flas për çrregullimin nga i cili vuan.

“Nuk doja të mendoja se diçka nuk ishte në rregull me mua. Kjo ishte frika më e madhe e jetës sime, të çmendem. Por pastaj mendova se vendimi për t’ia hapur zemrën fansave ishte një lloj terapie për mua, dhe se më në fund kisha vendosur të mos ndjehem e burgosur nga kjo sëmundje,” ka treguar këngëtarja.

Bebe vuan nga sëmundja “bipolar one”, që manifestohet me episode të rënda të euforisë dhe depresionit.

Prej se është diagnostikuar, bukuroshja me prejardhje shqiptare i është nënshtruar ndihmës profesionale nga një psikolog, dhe ka filluar të ushtrojë dhe të meditojë, për çka thotë se i kanë ndihmuar ta ketë një jetë më të balancuar.

“Jam mirë dhe e shëndetshme. Po punoj me veten dhe po përmirësohem si njeri,” ka përfunduar tutje Rexha.

Bleta “Bebe” Rexha u lind nga prindërit shqiptarë më 30 gusht 1989, në Brooklyn të New Yorkut. Fillimisht, ajo ishte autore e suksesshme këngësh para se ta ndiqte karrierën si solo këngëtare, duke kompozuar këngë për yje të njohur të muzikës si: Rihanna, Eminem, Selena Gomez, David Guetta, etj.

Ajo e publikoi albumin e parë me titull “Expectations” në vitin 2018. Në të njëjtin vit, Rexha i fitoi dy nominime për çmim “Grammy” në kategoritë “Artistja më e mirë e re” dhe “Performanca më e mirë duo-grup në zhanrin country” për këngën “Meant to Be”, të cilën e solli në bashkëpunim me grupin “Florida Georgia Line”.

Bebe Rexha shquhet si një artiste e talentuar e cila përveç përkushtimit në muzikë, kohën e saj ia dedikon edhe çështjeve të ndryshme si dhe shpesh e shfrytëzon zërin e saj për t’i dalë në ndihmë femrave në industri. Në fund të vitit të kaluar, pak para se ta përfundonte turneun muzikor në Amerikën Veriore me grupin e njohur “Jonas Brothers”, Bebe e vizitoi Shqipërinë ku erdhi për t’i ndarë ndihmat e mbledhura për të prekurit nga tërmeti në vend.

Aktualisht, këngëtarja është duke punuar në realizimin e albumit të ardhshëm, ku planifikon ta ekspozojë anën e saj më të prekshme akoma. Rexha ka treguar se njëra nga këngët e këtij incizimi do të titullohet, “Break My Heart Myself”. Teksti i kësaj kënge i referohet çrregullimit bipolar që prek rreth 5.7 milionë njerëz në Amerikë, dhe Bebe Rexha është e vendosur ta “normalizojë” këtë gjendje.