Tom Holland dhe Chris Pratt e promovuan filmin e tyre të ri “Onward”

Tom Holland dhe Chris Pratt e promovuan filmin e tyre të ri “Onward”

19 February 2020 09:59

Studioja filmike “Pixar” njihet për rrëfimin e historive unike përmes filmave të tyre të animuar. Kështu po konsiderohet edhe projekti i tyre i fundit, “Onward”, i cili e sjellë tregimin e dy vëllezërve kukudh shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, të cilët jetojnë në një botë të kështjellave dhe dragonjve dhe mundohen që përmes magjisë, ta shohin edhe një herë babanë e tyre të ndjerë.

Zërat për personazhet e vëllezërve kukudh i kanë huazuar aktorët yje të Hollywoodit, Tom Holland dhe Chris Pratt, transmeton Koha.net. Së fundmi ata e shënuan premierën botërore të filmit, ku treguan se si sillen me vëllezërit e tyre në jetën e përditshme.

“Unë i dua shumë vëllezërit e mi. Ata janë shokët e mi të ngushtë, dhe jam shumë fatlum që në jetë i kam tre persona të cilët më ndihmojnë ta ruaj modestinë. Më duket që unë më shumë kam dëshirë të bëhem sikur vëllezërit e mi, sesa ata si unë. Atyre nuk ju intereson jeta e Hollywoodit prandaj është kënaqësi të shkosh në shtëpi, dhe të mirëpritesh me sharje e ofendime të zakonshme,” kishte thënë Holland, duke bërë shaka.

Edhe ylli i filmave “Jurasic Park”, Pratt, pati vetëm fjalë të mira për vëllezërit e tij.

“Unë kam qenë një person bezdisës dhe i padurueshëm, por vëllai im gjithmonë më ka përkrahur dhe mbuluar me dashuri. Ai asnjëherë nuk më ka turpëruar, kështu që kam përfituar shumë në jetë nga të pasurit një vëlla kaq të mirë, sikurse personazhi im në film,” ka deklaruar aktori.

Krahas Hollandit dhe Prattit, edhe disa yje të tjerë të showbizit i kanë huazuar zërat për personazhet e këtij filmi, në mesin e së cilëve: Julia Louis-Dreyfus, Octavia Spencer, Mel Rodriguez, Ali Wong, Tracey Ullman, Wilmer Valderrama dhe John Ratzenberger.

Filmi “Onward” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë Amerikane nga 6 marsi.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme