Showbiz

Lewis Capaldi i interesuar ta realizojë kolonën zanore të filmit të ardhshëm “James Bond”

Këngëtari i ri në skenën muzikore i cili u bë i famshëm ndërkombëtarisht me lansimin e hitit, “Someone You Loved”, e ka shprehur dëshirën e tij për t’u përfshirë në projektin e njohur kinematografik që flet për agjentin 007, duke ia realizuar kolonën zanore.

Capaldi, në një intervistë të realizuar së fundi, foli për këngën e re të yllit 18-vjeçar të muzikës Billie Eilish, “No Time To Die”, që njëherësh është kolona zanore e filmit të ri “James Bond” i cili pritet të lansohet nëpër kinema në muajin prill, transmeton Koha.net.

Kënga e cila për producent e ka vëllain e këngëtares, Finneas, ka vetëm një javë që është lansuar për publikun dhe deri më tani ka marrë kritika jashtëzakonisht të mira. Edhe këngëtari skocez Capaldi, e vlerësoi lartë projektin.

“Mendoj që ajo dhe vëllai i saj Finneas e kanë bërë një punë të mrekullueshme me këtë këngë,” citohet të ketë thënë këngëtari.

Ylli i hitit “Before You Go”, më pas tregoi se do të kishte shumë dëshirë që ta realizojë kolonën zanore të filmit të ardhshëm për agjentin James Bond, natyrisht nëse deri në atë kohë, do të vazhdojë ta gëzojë famën dhe suksesin e tanishëm në skenën muzikore.

“Nuk jam i sigurt si do të përshtatesha me realizimin e një muzike që tingëllon më misterioze, duke e konsideruar çfarë personi jam në jetën e përditshme, por nuk dyshoj fare se do ta bëjë një punë të mrekullueshme. Pra po, mendoj që nëse deri atëherë nuk do të harrohem nga publiku, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë, do të më pëlqente shumë ta realizoja kolonën zanore të filmit të ardhshëm “James Bond”,” ka deklaruar Capaldi.

Muajin e kaluar, këngëtari tregoi se në ceremoninë “Grammy” e kishte përjetuar një situatë paksa qesharake, kur punëtorët e angazhuar për akomodimin e yjeve nëpër vendet e tyre, nuk e kishin njohur që ai është një prej të ftuarve të kësaj ceremonie si dhe këngëtarë dhe i nominuar gjatë mbrëmjes. Capaldi e ndoqi për herë të parë ceremoninë “Grammy” e cila mbahet në Los Angeles, derisa ishte nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë” për hitin e tij të padiskutueshëm, “Someone You Loved”.