Ajo dallohet si njëra ndër këngëtaret më të guximshme shqiptare, gjë që kur kombinohet me vokalin e saj, e bën të veçantë dhe të paharrueshme nga publiku.
Për shumë vjet me radhë, e kemi parë në skenë duke eksperimentuar zhanre të ndryshme, e duke realizuar bashkëpunime interesante.
Por, tash 7 vjet, Leonora Poloska nuk ka lansuar projekte dhe i ka munguar skenës muzikore, raporton “Express” i KTV-së.
Ajo është rikthyer në skenë plot inspirim dhe e gatshme ta vazhdojë karrierën muzikore.
Balada “S’ishte fat” është kënga me të cilën Poloska ka shënuar rikthimin e suksesshëm.
Në një kohë kur këngëtarët investojnë shumë në realizimin e videoklipeve, ajo ka vendosur të prezantohet e thjeshtë, duke u fokusuar në kualitetin e këngës.
Poloska është rikthyer duke i kënduar dashurisë së ndaluar dhe publiku e ka mirëpritur baladën e saj qysh në ditët e para të publikimit. Disa po e gjejnë veten në vargjet e shkruara nga Arsim Bunjaku, e për disa, është vokali i veçantë i saj, ai që i emocionon.
Për këngën “S’ishte fat”, dëgjuesit e Poloskës kanë pritur gjatë, por ajo thotë se një shkëputje e tillë nga skena nuk do të përsëritet.
Leonora Poloska e la anash muzikën për t’iu dedikuar jetës familjare që aktualisht është burimi i saj i inspirimit.