Filmi luftarak i Sam Mendes “1917” dhe “Once Upon A Time in Hollywood” i Quentin Tarantino ishin fituesit e mëdhenj në “Golden Globe Awards” mbrëmjen e së dielës (5 janar), duke i fituar pesë çmimet më të mëdha.
“1917” u kurorëzua me Best Motion Picture - Drama, duke e mposhtur favoritin e Martin Scorsese “The Irishman”, ndërsa Mendes e befasoi veten derisa i mposhti kolegët e tij duke e fituar çmimin “Best Director”.

Tarantino e pati një fitore të trefishtë - ai i fitoi çmimet “Best Motion Picture – Musical or Comedy” dhe “Best Screenplay”, ndërsa një nga yjet e filmit të tij, Brad Pitt, e fitoi çmimin Best Supportin Actor.
“Jokeri” i Joaquin Phoenix dhe “Judy” i Renee Zellweger morën shtytje për Oscarët pasi që i fituan çmimet kryesore të aktrimit për dramë, ndërkohë që Laura Dern nga “Marriage Story”, Taron Egerton nga “Rocketman”, dhe Awkwafina nga “Farewell” gjithashtu u nderuan për punën e tyre të madhe në ekran.
Ndërkohë, britanikët dominuan në ceremoni pasi që “Fleabag” doli fitues i dyfishtë, ku me krijuesin dhe yllin Phoebe Waller-Bridge e fituan çmimin “Best Television Series – Musical or Comedy” dhe “Best Performance by an Actress in a Television Series – Musical or Comedy”, dhe pati triumfe për Brian Cox të Succession dhe Olivia Colman, e cila u nderua për portretizimin e saj të Mbretëreshës Elizabeth II në sezonin e tretë të “The Crown”, ndërsa Russell Crowe dhe Michelle Williams dolën fitimtarë për kategoritë e serisë së kufizuar ose filmit televiziv për “The Loudest Voice” dhe “Fosse/Verdon”

Prezantues në ceremoninë e 77-të të “Golden Globe Awards” ishte komediani gjuhë-mprehtë Ricky Gervais, i cili e kaloi mbrëmjen duke u tallur me elitën hollivudiane nga skena në Beverly Hilton në Los Angeles.
Mbrëmja nuk u shfrytëzua vetëm për të festuar, meqë shumë fitues i shfrytëzuan fjalimet e tyre të pranimit për të ngritur çështje të barazisë dhe të drejtave të femrave, dhe për ta ndarë mbështetjen e tyre për ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në Australi.
Siç u theksua, Awkwafina (31) është femra e parë aziatike në histori që e fitoi çmimin e aktores më të mirë në komedinë “The Farewell”, ndërsa aktori uellsian Taron Egerton (30) e fitoi çmimin në të njëjtën kategori për rolin e këngëtarit të famshëm Elton John (72) në filmin “Rocketman”.
Netflixi i pati 17 nominime, ndërsa mini-drama “Chernobyl” e fitoi çmimin në kategorinë më të mirë të serive televizive.
Trileri korean “Parasite” e fitoi çmimin për filmin më të mirë në kategorinë e filmit më të mirë të huaj.
“Golden Globe” për arritje jetësore iu dha Tom Hanksit (63) për arritjet e tij të shkëlqyera në botën e filmit, në të cilën ai njihet edhe si producent filmi dhe jo vetëm si aktor, dhe për këtë vendosën 90 anëtarë të shoqatës hollivudiane të mediave të huaja. Aktori amerikan tashmë i ka fituar dy “Oscarë” dhe katër “Golden Globe”.