Mbreti suedez Carl Gustav XVI (73) ka vendosur që pesë nipërit e tij nuk janë më pjesë e familjes mbretërore.
Ai raportohet se e bëri këtë duke e ndjekur shembullin e princit Harry (35) i cili, me gruan e tij, dukeshën e Sussexit Meghan Markle (38) vendosi që djali i tij Archie të mos e kishte titullin princ, sepse në këtë mënyrë do ta ketë një fëmijëri të pabrengë, larg nga syri i publikut.
Kështu, mbreti e uli numrin e anëtarëve të familjes që do të marrin para nga fondet e taksapaguesve, shkruan KOHA Ditore. Nipërit dhe mbesat do t’i kenë titujt princ ose princeshë, ose dukë apo dukeshë, por nuk do t’i kryejnë detyrat mbretërore.
Vendimi do të thotë që nipërit e mbesat e Carl Gustav XVI në moshat prej një deri në pesë vjeç nuk do të marrin më 'para të xhepit', të cilat u paguhen anëtarëve të familjes mbretërore nga buxheti. Kjo nuk vlen për dy fëmijët e princit të kurorës së Suedisë, princeshën Victoria, për princeshën Estelle dhe vëllanë e saj të vogël princin Oscar.
Pallati mbretëror i Suedisë ka njoftuar se fëmijët e princeshës Madeleine (37) dhe bashkëshortit të saj Chris O'Neill, dhe fëmijët e princit Carl Philip (40) dhe princeshës Sofia, nuk do të mund të kryejnë detyra zyrtare. Bëhet fjalë për princeshën Leonora (5), princin Nicolas (4) dhe princeshën Adrienne (1), si dhe princin Alexander (3) dhe princin Gabriel (2).
Prindërit e pesë fëmijëve që janë përjashtuar nga detyrat mbretërore, princi Carl Philip dhe gruaja e tij princesha Sofia, si dhe princesha Madeleine dhe bashkëshorti i saj Christopher O'Neill, në mediat sociale u krenuan me vendimin e mbretit.
“Ky ndryshim u jep fëmijëve mundësinë që ta formësojnë jetën e tyre si individë privatë”, - ka shkruar princesha Madeleine në Instagram. Vëllai i saj, princi Carl Philip, tha që fëmijët e tij tani e kanë lirinë e zgjedhjes në jetë.
Madeleine aktualisht jeton në Miami dhe punon për Fondacionin botëror për ruajtje të fëmijërisë, themeluar nga nëna e saj, mbretëresha Silvia, ndërsa princi Carl Philip dhe gruaja e tij Sofia do të vazhdojnë të punojnë në fondacionin e tyre të bamirësisë.
Në vitin 1980, familja mbretërore suedeze i ndryshoi për herë të parë rregullat e trashëgimisë, sipas të cilave trashëgimtari i fronit është fëmija i parëlindur, pavarësisht nga gjinia.