“Joker” me startin më të mirë në tetor

“Joker” me startin më të mirë në tetor

09 October 2019 08:42

Të gjithë e prisnin këtë: Joker e mposhti konkurrencën dhe është filmi më i shikuar fundjavën që shkoi në pjesën më të madhe të botës!

Filmi i ri i studios Warner Bros arriti ta ketë startin më të mirë në tetor në Amerikën e Veriut me 93.5 milionë dollarë dhe është hapja e katërt më e mirë për një film me etiketim R (përpara tij janë “It” me 123 milionë, “Deadpool 2” me 125 milionë dhe “Deadpool” me 132 milionë dollarë). Filmi nuk ishte më i shikuari vetëm në Amerikën e Veriut, por edhe në pjesën tjetër të botës, kështu që për fundjavën e parë i fitoi madje 234 milionë dollarë!

Në fillim të vitit dukej se “It Chapter Two” do të ishte filmi më i fortë i këtij viti për studion Warner Bros., ndërsa ky film e pati një fillim pak më të dobët me 91 milionë dollarë. Nëse e krahasojmë Jokerin me adaptimet e tjera të stripave, atëherë mund të themi se ai e arriti një fillim më të mirë sesa, për shembull, Ant-Man and the Wasp (75 milionë dollarë) dhe Logan (88 milionë dollarë), i cili gjithashtu e kishte etiketën R. Joker tani ka të ardhura të ngjashme siç i realizuan për fundjavën e parë superheronjtë e DC në filmin Justice League (93.8 milionë dollarë).

Filmi e sjell ngjarjen e paparë deri më tani për një prej kundërshtarëve më të famshëm dhe të ligj të Batmanit, shkruan KOHA Ditore. Në stripat e DC Jokeri shfaqet si një individ jashtëzakonisht inteligjent, ndërsa në versionin e Todd Phillips shohim se si dhe pse Arthur Fleck u bë Jokeri super-negativ. Filmi nuk është vetëm një studim i karakterit, por edhe një kritikë e drejtpërdrejtë e një shoqërie që e largoi një prej anëtarëve të saj. Kritikët dhe audienca kanë lëvdata për Jokerin, dhe madje edhe ata që nuk janë të kënaqur me filmin e vlerësojnë shumë performancën e Joaquin Phoenix, i cili sipas shumë prej tyre është pothuajse e sigurt që do të jetë kandidat për “Oscar”. Në rolet e tjera shfaqen Robert de Niro, Zazie Beetz, Frances Conroy, Marc Maron, Bill Camp, Glenn Fleshler, Shea Whigham, Brett Cullen, Douglas Hodge dhe Josh Pais.

Image

Filmi ka fituar lëvdata edhe para se të shfaqej në kinema, pasi që është adaptimi i parë i stripit i cili e ka fituar një çmim të rëndësishëm në festivalin e madh të filmit; ai e fitoi “Luanin e artë” pas premierës së tij në Venecie.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme