Pesë të vdekur në koncertin ku po këndonte Dhurata Dora Foto: Reuters

Asnjë koment nga Dora dhe Soolking për koncertin e tyre ku vdiqën pesë persona

23 August 2019 10:39
12:26

Së paku pesë persona kanë vdekur në një koncert që është mbajtur në kryeqytetin Algjerian.

Mijëra fansa janë mbledhur në një stadium për të shikuar reperin Abderraouf Derradji, i njohur me ermin artistik si Soolking. Në këtë koncert, ka performuar edhe këngëtarja Dhurata Dora. Gjatë performancës së Soolkingut, një turmë e fansave kanë thyer njërën nga hyrjet e stadiumit, duke shtypur njëri-tjetrin.

21 persona kanë mbetur të lënduar nga kjo rrëmujë dhe janë dërguar në spital, kanë thënë burimet mjekësore për mediat lokale, raporton BBC, transmeton Koha.net.

Koncerti pastaj ka vazhduar dhe është transmetuar drejtpërdrejtë në televizionin algjerian.

Agjencia lokale e lajmeve, TSA, raportoi se pesë fansa kanë vdekur, tri meshkuj e dy femra.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën ekipet e emergjencës duke mbajtur një person, i cili besohet se ishte viktimë e rrëmujës, me një lesë jashtë stadiumit.

Një gazetare e cila ishte prezente në këtë koncert, Linda Chebbah, ka thënë për BBC Newsday se që nga fillimi dukej sikur diçka nuk është në rregull.

“Kishte shumë njerëz për këtë stadium. Në fushë, njerëzit shtyheshin për hapësirë. Kishte aq shumë njerëz saqë nuk çuditem se ka ndodhur një aksident”, ka thënë Chebbah.

Muzikanti algjerian, Soolking dhe këngëtarja Dhurata Dora, e cila po ashtu performoi në këtë koncert, ende nuk kanë komentuar për këtë incident në rrjetet sociale.

10:39

Pesë të vdekur në koncertin ku po këndonte Dhurata Dora

Të paktën pesë persona kane humbur jetën në një koncert të reperit të njohur Algjerian Abderraouf Derradji, i njohur me emrin e artit Soolking, i cili për publikun shqiptar njihet për bashkëpunimin e tij me këngëtaren shqiptare Dhurata Dora “Zemër”.

Në këtë koncert, që është transmetuar live në televizionin Algjerian, ishte e ftuar edhe këngëtarja shqiptare Dhurata Dora. Sipas BBC, pesë persona humbën jetën kur spektatorët nisën të shtypin njëri tjetrin. 21 persona janë plagosur dhe janë dërguar në spital njoftuan gazetat vendase.

Në rrjetet sociale u shfaqën fotografitë e ekipeve të emergjencës që u vinin në ndihmë të plagosurve. Soolking konsiderohet artisti më i mirë në Algjeri me famë në të gjithë botën arabe me një aktivitet që e ka zhvilluar në Francë. Hiti i Soolking dhe Dhurata Dora “Zemër” ka arritur te hyjë në top listat e Francës./BW

Komentet

Shto koment

Të ngjashme