Showbiz

“Nusja nga Stambolli” me befasi dramatike

Seriali “Nusja nga Stambolli” po i ofrohet fundit të episodeve të sezonit të dytë. Vetëm edhe dy javë do të kemi mundësinë t’i shohim episodet e këtij sezoni. 

Në këtë seri shumë të ndjekur televizive, drama dhe ngjarjet e njëpasnjëshme do të jenë pjesë e lojës. Ademi, i cili javën e kaluar akuzohej që kishte gisht në gjithë dramën rreth Farukut, këtë javë do të shndërrohet në heroin e Boranëve. 

Zonja Esma, personalisht do t’i kërkojë falje Ademit për keqkuptimin dhe akuzimin që i ka bërë. Se a do të pranohet kërkimfalja dhe çka do të bëjë Ademi lidhur me hakmarrjen e tij, mbetet të shohim episodet e dy javëve të ardhshme. 

Gjatë episodeve të reja do të njohim një personazh të ri, Gyzde, një femër e bukur që punon dhe merret me biznes, e cila është një e njohur e Farukut nga e kaluara. 

Cili do të jetë misioni i vërtetë i saj do ta kuptojmë këtë javë. Se kush e solli atë përsëri në jetën e Farukut është pikërisht Ademi dhe plani i tij për revansh. Skenat e Farukut dhe Syrejasë, dashurisë së tyre, do t’i bëjnë episodet shumë të gëzuara gjatë kësaj jave. 

Sirena, nëna e Burxhus, do të vijë përsëri në Bursa, me një befasi shumë të këndshme. Do ta prezantojë burrin e saj të ri, me të cilin është njohur në Las Vegas. Skenat me Sirenën janë ato që do t’i shtojnë serialit shumë qeshje dhe humor. Sikur çdo javë edhe kjo do të ketë episode me shumë dramë, skenar dhe muzikë origjinale që do të na mbajë të gjithëve pranë ekranit duke pritur me padurim ngjarjet e radhës. 

“Nusja nga Stambolli” është serial i prodhuar në Turqi. Sezoni i dytë ka thyer rekordet e shikueshmërisë në kategorinë e telenovelave, sidomos në vendet e regjionit dhe në Turqi. Po ashtu, është nominuar në edicionin e 46-të të festivalit “Emmy Awards”, në kategorinë “Telenovela më e mirë”. 

”Nusja nga Stambolli”, që transmetohet çdo ditë të javës nga e hëna deri të premten nga ora 21:30, vjen vetëm në KTV.