Showbiz

“Woodstock 50” do të vazhdojë dhe “do të jetë një argëtim i madh”, këmbëngul promotori

Michael Lang, promotori i festivalit origjinal “Woodstock” në vitin 1969, këmbëngul se ngjarja e tij e 50-vjetorit do të mbahet, pavarësisht tërheqjes së mbështetësit të tij financiar.

Dentsu Aegis Network njoftoi par pak ditësh se ata ishin tërhequr duke thënë: "Pavarësisht investimit tonë të jashtëzakonshëm në kohë, përpjekje dhe angazhim, nuk besojmë se produksioni i festivalit mund të ekzekutohet si një ngjarje e denjë për emrin e brendit “Woodstock”, ndërkohë që të sigurohen shëndeti dhe siguria e artistëve, partnerëve dhe pjesëmarrësve".

Formulimi i deklaratës sugjeroi që ngjarja ishte anuluar, por Lang e hodhi poshtë këtë pozicion, duke shtuar se "do të kërkohet një zgjidhje juridike".

Në një deklaratë të re në Facebook, ai shtoi: "Jemi të angazhuar të sigurohemi se 50-vjetori i ’Woodstockut’ të shënohet me një festival që e meriton emrin e tij ikonik dhe vendin në historinë dhe kulturën amerikane. Ndonëse partneri ynë financiar po tërhiqet, ne natyrisht se do të vazhdojmë me planifikimin e festivalit dhe të synojmë të sjellim partnerë të rinj. Duam ta falënderojmë shtetin e New Yorkut dhe Schuyler County për të gjithë punën dhe mbështetjen e tyre të madhe. Ajo që është e rëndësishme është se do të ketë Woodstock 50th Anniversary Festival, siç edhe duhet të ketë, dhe do të jetë një argëtim i madh!"

Spekulimet se ngjarja në fjalë ishte në telashe filluan të qarkullonin kur data e biletave që dilnin në shitje, më 22 prill, kaloi pa u lansuar festivali. Lang i hodhi poshtë spekulimet si "vetëm thashetheme", shkruan KOHA Ditore.

Planet e tij të paralajmëruara më parë e përfshinin performancën e Robert Plant, the Black Keys dhe të tjerëve, ndërsa ngjarja është paraparë të mbahet në Watkins Glen International Speedway në Watkins Glen, N.Y., më 16-18 gusht – data këto të njëjta si festivali origjinal. The Black Keys e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre. Nuk dihet nëse do të anulohen edhe planet e tjera.