Aktori britanik, Daniel Craig, do të jetë për herë të pestë në rolin e James Bondit në filmin e 25-të ende të paemëruar të franshizës që pritet të lansohet vitin e ardhshëm, kanë thënë producentët të enjten.
Craig, 51 vjeç, aktori i gjashtë që luan agjentin sekret britanik, do të luajë me bashkëaktorë tjerë të mëhershëm të Bondit por edhe me disa të rinj, përfshirë fituesin e çmimit Oscar, Rami Malek, që luajti solistin e bendit Queen, Freddie Mercury, në “Bohemian Rhapsody” vitin e kaluar, raporton Reuters.
Malek, 37 vjeçar, pritet të luajë kundërshtarin e ashpër të Bondit në filmin e radhës, që aktualisht quhet “Bond 25” dhe do të përfshijë lokacione në Xhamajka, thanë producentët në një paraqitje nga ishulli i Karaibeve, transmeton Koha.net.
“Ju premtoj se do të sigurohem që Bondi të mos ketë një paraqitje të lehtë në filmin e 25-të”, ka thënë Malek në një njoftim të incizuar nga New Yorku.