Showbiz

Njeriu më i pasur në botë në një lidhje jashtëmartesore me prezantuesen e FOX

Bosi i “Amazon”, Jeff Bezos, dhe bashkëshortja e tij, MacKenzie, do të divorcohen pas një martese 25-vjeçare. Çifti e ka njoftuar lëvizjen në një deklaratë të përbashkët, të mërkurën, në Twitter.

“Pas një periudhe të gjatë së bashku, kemi vendosur të divorcohemi dhe të vazhdojmë jetën si miq”, tha çifti në një deklaratë.

Por një ditë pas kësaj deklarate, “Daily Mail” ka mësuar se prej 8 muajsh Jeff Bezos ishte në një lidhje me prezantuesen e FOX Lauren Sanchez, dhe ajo e martuar.

Por teksa Jeff Bezos ka deklaruar për “Daily Mail”, se gruaja e tij ishte në dijeni të tradhtisë bashkëshortore, s’mund të thuhet e njëjta gjë për burrin e prezantueses së FOX.

“Amazon”, e krijuar 25 vite më parë, eklipsoi këtë javë “Microsoft”-in, duke u bërë kompania më me vlerë në treg.

Themelues i kompanisë Jeff Bezos, 54 vjeç, është edhe njeriu më i pasur në botë, sipas indeksit të miliarderëve të “Bloomberg”, me një pasuri që vlerësohet të jetë rreth 137 miliardë dollarë, 45 miliardë më shumë sesa ajo e Bill Gates.

48-vjeçarja MacKenzie Bezos është një noveliste, autore e disa librave.

“Ne ndihemi pafundësisht me fat që kemi gjetur njëri-tjetrin dhe thellësisht mirënjohës për të gjithë kohën që kemi qëndruar bashkë”, thuhej në deklaratën e çiftit. “Nëse do ta dinim se do të ndaheshim pas 25 vitesh, sërish do të bënim të njëjtën gjë. Kemi pasur një jetë të mrekullueshme si një çift i martuar, e shohim po ashtu një të ardhme të mrekullueshme përpara si prindër, miq, partnerë në sipërmarrje e projekte, dhe si individë. Edhe pse mbiemrat mund të jenë të ndryshëm, ne mbetemi një familje, mbetemi miq të mirë”, vijon deklarata.

Çifti ka 4 fëmijë, një prej tyre i adoptuar. “Amazon” është vlerësuar se kapi shifrën e 797 miliardë dollarëve, të hënën, me një rritje prej 3.4 për qind, duke lënë pas “Microsoft”-in, që vlerësohet me 789 miliardë dollarë.