Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Pajtohen në gjykatë Noizy dhe BabaStars

Një konflikt disavjeçar mes dy grupeve të njohura të repit shqiptar në Kosovë e Shqipëri, i cili kulmoi me një përleshje të armatosur dy vjet më parë në qendër të Prishtinës, është mbyllur sot në gjykatë kur përfaqësuesit e tyre pranuan fajin dhe shpallën pajtimin.

Katër ditë pasi janë mbushur dy vjet nga përleshja e armatosur në të cilën kishte mbetur i plagosur lideri i labelit OTR, Rigels Rajku (Noizy), palët u përballen në gjykatë.

Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para hotelit “Swiss Diamond”, kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve dhe në këtë rast gjyqësor i akuzuar është Noizy, ndërsa reperi Cozman i BabaStars është palë e dëmtuar. Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajkun. Për plagosjen e tij është i akuzuar Albert Krasniqi nga Baba Stars. Ndërsa Visar Shala, i njohur në tregun e muzikës me nofkën ‘Skivi’, është vetëm dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

Noizy ishte i pari që u deklarua për këtë rast. Në deklarimin e sotëm gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ai tha se ndihet keq për konfliktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri- tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, tha Rigels Rajku-Noizy para gjykatës.

Pas tij, fajësinë e pranoi edhe pjesëtari tjetër i grupit rival Babastars, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq për rastin që ka ndodhë. Ne jemi pajtuar dhe tash jemi miq”, ka thënë ai, raporton Kallxo.

Edhe Noizy dënohet për plagosjen në Prishtinë Showbiz Noizy dënohet për plagosjen në Prishtinë

Në gjykatë sot nuk është paraqitur i akuzuari tjetër, Elvis Hyseni, për të cilin avokati i tij tha se jeton në Londër dhe nuk ka pasur mundësi që të vijë.

“Prindi i Elvisit më ka njoftuar se ai jeton në Londër dhe nuk ka mundur të gjejë biletë të vijë këtu”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Elvis Hysenit, avokati Aziz Rexha.

Në mungesë të të akuzuarit Hyseni, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra mori aktvendim për ta veçuar procedurën ndaj këtij të akuzuari me qëllim të ekonomizimit të procedurës.