Reklama

75 milionë euro investim për energji të ripërtëritshme në "Prishtina Mall"

Prishtina Mall

Korporata ndërkombëtare financiare “IFC”, pjesë e grupit të Bankës Botërore, ka nënshkruar një marrëveshje investimi prej 75 milionë eurosh me “Prishtina Mall”.

Cilësohet si investimi më i madh i “IFC”-së në sektorin privat në Kosovë, e që si qëllim ka zhvillimin ekonomik, mbështetjen e sektorit privat dhe hapjen e mijëra vendeve të punës.

Me këtë investim, “Prishtina Mall” do të bëhet një nga qendrat e para tregtare në vend me certifikimin ndërkombëtar për efiçiencë energjetike.

Në plan është instalimi i paneleve diellore dhe zbatimi i masave të gjelbra që do të përmirësojnë qëndrueshmërinë e qendrës tregtare.

“’IFC’ është një institucion ku edhe Kosova është aksionar, pra është pjesë e Bankës Botërore. Dhe për t’u zhvilluar edhe në Kosovë dhe rajon, sot është hapur porta serioze. Është kredia më e madhe ku është shënuar si diçka historike për Kosovën. Pra një kredi e tillë në bizneset private nuk është dhënë asnjëherë. Nuk duhet t’i harrojmë edhe bankat vendore të cilat çdo herë na kanë ndihmuar, por ‘IFC’, që ka buxhetin me miliarda, na ka ndihmuar shumëfish. Kjo është ndihmesë për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të punës. Dhe për të pasur zhvillim duhet bashkëpunim me institucionet financiare stabile. Procesi i kësaj është i gjatë, nuk është aspak i lehtë, sepse ka shumë procedura, e sidomos ato administrative që janë deri te certifikimet”, ka thënë Fatmir Zymberi, kryetar i Bordit "Prishtina Mall".

Alvaro Costa, kryeshef ekzekutiv i ‘Prishtina Mall’, këtë partneritet e quan historik, duke theksuar rëndësinë e tij në forcimin e besimit të investitorëve dhe në promovimin e rritjes së gjelbër ekonomike.

“Kam qenë këtu për tre vjet e gjysmë, kështu që jam pothuajse shqiptar nga zemra, padyshim. Por, si kompani ndërkombëtare, e kuptuam menjëherë që ky është një projekt shumë sfidues, me ndikim ndërkombëtar. Për ne, është gjithashtu një dëshmi e punës sonë që kemi nderin të kontribuojmë në ‘Prishtina Mall’ dhe t’i shërbejmë këtij komuniteti. Prandaj, pranuam menjëherë. Ky është një projekt që jo vetëm na siguron dhe na forcon financiarisht, por gjithashtu na ndihmon në tërheqjen e qiramarrësve të rinj dhe në ecjen përpara drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe digjitale. Jemi shumë optimistë”, është shprehur ai.

“Gjithashtu, kjo marrëveshje me ‘IFC’-në na mundëson të ruajmë dhe të theksojmë standardet tona të larta në qeverisjen korporative, në etikën e biznesit dhe në integritet e vlera që që nga fillimi kanë qenë në zemër të funksionimit të ‘Prishtina Mall’. Po ecim edhe në këtë drejtim. Së fundi, kjo na mundëson të udhëheqim agjendën e gjelbër në rajon. Është përgjegjësi për ne të përmirësojmë praktikat tona ESG, të përfitojmë prej tyre dhe njëkohësisht të kontribuojmë për komunitetin tonë”, ka shtuar Costa.

Edhe, Visar Perani, udhëheqës i zyrës së “IFC”-së për Kosovë dhe Maqedoni Veriore thekson se bashkëpunimi me ndërkombëtarët zhvillon ekonomin e Kosovës.

“’IFC me ‘Prishtina Mall’ ka dëshmuar që Banka Botërore ka besim në sektorin privat në Kosovë. Dhe shpresoj që bashkëpunime të tilla të ketë edhe për projekte të tjera. Në një kompani që janë 14 aksionarë, e me një kompani të huaj që është nga Portugalia, ka qenë e rëndësishme të kemi një qeverisje të mirë kooperative”, ka thënë ai.

“Prishtina Mall” është qendra më e madhe në rajon dhe është vend i blerjes nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.