Serbia ka paralajmëruar se krimineli i gjenocidit në Bosnjë i cili vdiq dje, Ratko Mladiq, do të varroset me nderime të larta shtetërore. Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, e ka konfirmuar në televizionin ATV të Banja Llukës.
“Gjenerali Mladiq është gjeneral dhe protokollet dihen. Dihet edhe roli i tij, por edhe ajo që i takon gjeneralit Mladiq sigurisht që do të respektohet. Theksoj se Republika Srpska këtu nuk është ajo që vendos, familja do të vendosë edhe për vendin ku do të varroset, sepse kjo është çështje e familjes së tij”, tha Vujiq për ATV.
Mediat serbe kanë raportuar se djali i Mladiqit ka kërkuar që ai të varroset në Beograd, pranë varrit të vajzës së tij e cila pati bërë vetëvrasje më 1994.
Krimineli Mladiqi, me origjinë nga Kalinoviku, u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të popullsisë civile, shfarosje dhe vrasje, dëbim dhe akte çnjerëzore, terrorizim dhe sulme të paligjshme ndaj Sarajevës, si dhe marrjen peng të ushtarëve të OKB-së. Gjykata e shpalli fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, shkruan Klix.ba.
Mladiqi ishte përgjegjës për vdekjen e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë në vitin 1995
Në opinionin publik botëror, për shkak të krimeve të tij, ai u bë i njohur edhe si “Kasapi i Bosnjës” (Butcher of Bosnia), pasi konsiderohet drejtpërdrejt përgjegjës për vdekjen e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë në vitin 1995.
Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiqit për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore. Në vendim, gjykata tha se gjendja e Mlladiqit, ndonëse e pasigurt, ishte e qëndrueshme dhe trajtimi i tij në burgun në Hagë ishte në një standard të pranueshëm.
Reagimet pas vdekjes së Mladiqit
Vdekja e kriminelit Ratko Mladiq ka nxitur reagime të ndryshme në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ritheksuar solidaritetin me viktimat e gjenocidit dhe familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e luftimit të mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.
“Ai dënon fuqishëm çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si ngjarje historike, dhe çfarëdo veprimi që glorifikon të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare”, është thënë nga zyra e Guterres.
Një prej reagimeve më të forta ka ardhur nga Emir Suljagiq, drejtori i Qendrës Memoriale të Srebrenicës. Ai ka thënë se vdekja e Mladiqit nuk ndryshon asgjë nga ajo që ka ndodhur gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
“Ratko Mladiq ka vdekur dhe nuk ka çarë të thuhet më shumë. As ky fakt nuk ndryshon diça. Nuk i kthen të vdekurit. Nuk i zbardh varrezat masive. Nuk e kthen kriminelin në figurë historike. Tani mbetet pjesa më e vështirë e punës: të mos lihet e vërteta, përgjegjësia dhe kujtesa të vdes me të. Vdekja e Mladiqit është një tjetër moment ku duhet të vendosim çfarë do të kujtojmë dhe me më rëndësi çfarë nuk do të lejojmë të harrohet”.
Edhe Kada Hotiq, nënkryetare e Lëvizjes “Nënat e Srebrenicës”, e cila humbi bashkëshortin dhe djalin gjatë masakrës së vitit 1995, ka thënë se drejtësia ishte vendosur në momentin kur Mladiqi u dënua me burgim të përjetshëm.
Në anën tjetër, reagimet nga një pjesë e figurave politike serbe kanë qenë krejtësisht të kundërta.
Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, e ka cilësuar vdekjen e Mladiqit si “vrasje”, duke pretenduar se gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e rënduar dhe duke e paraqitur atë si një komandant që kishte luftuar për mbrojtjen e serbëve.
“Është vrasje. Ai ishte i respektuar nga serbët. Si komandant ai qëndroi për t’i mbrojtur serbët”.
Ngjashëm ka reaguar edhe lideri i Partisë Radikale Serbe, krimineli Vojislav Sheshel, i cili ka pretenduar se Mladiqi ishte “vrarë”, duke vazhduar glorifikimin e tij edhe pas vdekjes.
“Mladiqi luftoi kundër atyre të ligëve për kohë të gjatë; ata e prisnin vdekjen e tij që 2-3 vjet, por ai nuk hoqi dorë... Ata e vranë atë”.
Serbia mbron kriminelin, Vuçiq: Mladiqin do ta varrosim në mënyrë dinjitoze
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka rikonfirmuar se krimineli Ratko Mladiq do të varroset me nderime, po qe se familja kërkon që varrimi të jetë në Beograd.
Ai është ankuar për Gjykatën në Hagë se kjo e fundit nuk ka dërguar njoftim zyrtar për vdekjen e kriminelit Mladiq. Siç pretendoi ai, ekipe nga Serbia janë dërguar në Hagë për të ndihmuar me çështje logjistike dhe transportim.
“Mund t’ju garantoj se nëse familja dëshiron që ai të varroset në Serbi, ne do të ndihmojmë që kjo të bëhet në një mënyrë dinjitoze”, ka deklaruar ai, raportoi Tanjug.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka deklaruar se krimineli i gjenocidit në Bosnjë i cili vdiq dje, Mladiq, do të varroset me nderime të larta shtetërore e ushtarake.