Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se akuzat e presidentit Zoran Milanoviq për blerjen e aeroplanëve luftarakë të përdorur Rafale nga Franca janë të vonuara, të pakuptimta dhe jorealiste.
Milanoviq kishte deklaruar më herët se Serbia kishte blerë të njëjtët aeroplanë në një version dukshëm më të avancuar dhe më modern. Ndërsa për shtetin e tij ka thënë se i ka blerë të përdorur, duke kritikuar Qeverinë për metodat e prokurimit për blerjen e armëve të reja, shkruan “N1” i Kroacisë.
Pas seancës së sotme të Qeverisë, Plenkoviq u tha mediave se Milanoviq ishte përjashtuar vullnetarisht nga procesi i prokurimit dhe më pas shpjegoi mënyrën se si ishte marrë vendimi për blerjen e aeroplanëve francezë Rafale.
“Kroacia ka blerë modelet F-3R, së bashku me të gjitha kapacitetet dhe aftësitë shoqëruese që janë të disponueshme për një vend anëtar të NATO-s. Shtetet që nuk janë anëtare të NATO-s nuk i kanë të gjitha këto kapacitete, edhe nëse kanë blerë modelet F4 apo F4.1”, ka thënë Plenkoviq.
Ai shtoi se Milanoviq ishte tërhequr plotësisht nga procesi i prokurimit të aeroplanëve, ndonëse Qeveria i kishte dërguar një paketë dokumentesh për të dhënë mendimin e tij.
“Qeveria e udhëhoqi procesin në mënyrë konkurruese. Kishim oferta për katër lloje të ndryshme aeroplanësh. Zgjodhëm Rafalen francez, që ishte zgjedhja më e mirë për nga çmimi dhe performanca. Asnjë qeveri para meje nuk pati guximin, vullnetin apo idenë se si t’i siguronte mjetet financiare për blerjen e avionëve”, ka deklaruar Plenkoviq.
Sipas tij, tezat e Milanoviqit janë të vonuara, krejtësisht jorealiste dhe të pakuptimta, pasi nuk ndryshojnë asgjë, por vetëm e turbullojnë hapësirën politike dhe mediatike.
“‘Papaku’ (e ka fjalën për Milanoviqin v.j.) që ishte kryeministër për katër vjet dhe nuk bëri asgjë për Forcën Ajrore të Kroacisë, përveç modernizimit të dështuar të aeroplanëve MIG që ishin atëherë në përdorim. Këto janë realitetet”, ka thënë Plenkoviq.
Ai shtoi se Milanoviq është xheloz dhe duhet ta pyesë veten se çfarë ka bërë për Forcën Ajrore të Kroacisë.