Rajon

Mladiqi kërkon lirimin pasi po kalon “momentet e fundit të jetës”

Ratko Mladiq

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (IRMCT) njoftoi se Ratko Mladiq, përmes avokatit të tij, ka dorëzuar kërkesë në të cilën, ndër të tjera, thuhet se shërbimi mjekësor i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara (UNDU) e ka informuar Mladiqin dhe familjen e tij se gjendja e tij shëndetësore është e pashërueshme dhe se “janë duke kaluar në kujdes paliativ dhe momentet e fundit të jetës”.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë (1992–1995). Ai qe arrestuar në vitin 2011 në Serbi, pasi kaloi 16 vjet në arratisje. Gjyqi kundër tij nisi më 2012 dhe zgjati 530 ditë.

“Kjo kërkesë paraqitet, në mënyrë alternative, ose si kërkesë për lirimin e përkohshëm, ose si lirimi i përkohshëm me kushte, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Penale, nëse kjo konsiderohet si mjet i përshtatshëm për dhënien e lehtësimit të kërkuar”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e avokatit.

Mbrojtja pretendon se jetëgjatësia e kufizuar e Mladiqit është “çështje thelbësore humanitare që duhet të ketë peshë vendimtare”.

Shtohet se, duke pasur parasysh gjendjen e tij shëndetësore, nuk ekziston rreziku i arratisjes.

“Duke marrë parasysh seriozitetin dhe urgjencën e situatës, Mladiqi kërkon që marrja e të gjitha provave mjekësore të kërkuara të përshpejtohet dhe të mos vonohet, dhe që të merret vendim i shpejtë për këtë kërkesë”, thuhet tutje.

Në raportin mjekësor, të dorëzuar më 24 maj, i përgatitur nga shërbimi mjekësor i OKB-së, thuhet ndër të tjera se “pavarësisht trajtimit optimal, te pacienti Mladiq vazhdon përkeqësimi dhe procesi i plakjes dhe në një moment ai do të kalojë kufijtë e ndërhyrjes mjekësore, gjë që do të çojë në vdekjen e tij, për të cilin nuk mund të jepet prognozë e qartë”.