I nominuari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se nuk e ka ndër mend të sillet si, e as nuk pret "sjelle talibane” nga ndonjë politikan tjetër, pas njoftimit të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, se do ta ngrejë çështjen e Marrëveshjes së Prespës mes dy vendeve gjatë një samiti të ardhshëm të NATO-s.
Retorika mes Shkupit dhe Athinës është ashpërsuar së voni për Marrëveshjen e Prespës, në lidhje me përdorimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski, kryetari i VMRO DPMNE-së, tha se përgjigjen për fqinjin jugor të vendit të tij e ka dhënë tashmë para disa javësh se “është e drejta ime njerëzore se si do ta quaj shtetin tim”.
“Mendoj se është pjesë e fushatës së tyre zgjedhore. Nuk pres sjellje talibane, as censurim të së drejtës themelore të njeriut. Gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë, duke përfshirë këtu edhe certifikatat për deputetë që morëm me emrin e ri të shtetit”, ka thënë Mickoski.
Çështja e zbatimit të drejtë të Marrëveshjes së Prespës u ngrit nga Greqia më 12 maj, kur presidentja e re maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, e bëri betimin duke e anashkaluar emrin Maqedonia e Veriut.
Nëse në samitin e NATO-s në korrik Greqia do të ngrejë çështjen për respektimin e Marrëveshjes së Prespës, Mickoski tha se mesazhi i tij do të jetë në drejtim të ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe miqësisë me të gjithë fqinjët.
Në një konferencë për media të mbajtur në ishullin e Kretës në prag të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, kryeministri grek Mitsotakis tha se “qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që në praktikë të kontestojë emrin e vetëm për përdorim të gjithanshëm”, duke shtuar se Greqia nuk do ta pranojë këtë.
Edhe
Mitsotakis flet për shkeljen e Marrëveshjes së Prespës në samitin e NATO-s
“Pres që kandidati për kryeministër të Maqedonisë së Veriut të deklarojë publikisht, në mënyrë të qartë dhe kategorike, se e respekton Marrëveshjen e Prespës, se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut, ‘erga omnes’, si në përdorim të brendshëm, ashtu edhe në të jashtëm”, tha Mitsotakis.
Në vitin 2018, Shkupi dhe Athina e nënshkruan atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.
Kjo marrëveshje u dha fund mospajtimeve shumëvjeçare mes tyre, duke ua hapur rrugën përpjekjeve të Shkupit për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. /REL
-
Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet në Maqedoni të Veriut, s'i pengon askujt
-
Ahmeti: E pranojmë sfidën, Mickoski ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme
-
Mickoski kërkon durim për procesin e integrimit në BE
-
Greqia pretendon se Maqedonia e Veriut e ka shkelur marrëveshjen historike për emrin