PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Pesë shqisat tona të mrekullueshme

PFF

Sot, Programi Fluturues i Fëmijëve na ftoi në një udhëtim magjik, një udhëtim drejt vetes sonë!
Po, po, pikërisht kështu! Sepse zbuluam pesë pasuri të mëdha,që i mbajmë gjithmonë me vete: pesë shqisat tona të mrekullueshme!

Shqisa e të parit

Me sytë tanë i dhamë ngjyrë botës. Pamë ylberin në vizatimet tona, dalluam dritën që hynte nga dritarja dhe kuptuam sa bukur është të vështrosh me kujdes. E kuptuam se syri është si një dritare për shpirtin.

Shqisa e të prekurit

Përmes duarve prekëm botën. Kuptuam se ato nuk shërbejnë vetëm për të ndier, por edhe për të ndërtuar, për të përqafuar, për të krijuar. Duart tona janë një urë mes ndjesisë dhe veprimit, një mjet i fuqishëm për të shprehur dashuri, kujdes e aftësi.

Shqisa e nuhatjes

Me hundën tonë nuhatëm kujtime. Një erë çokollate na kujtoi një ditëlindje plot gëzim. Një aromë lulesh, që na kujtoi një shëtitje me gjyshen. Nuhatja është një magji e vogël, që i zgjon ndjesitë e fshehura dhe na fton të marrim frymë më thellë.

Shqisa e dëgjimit

Me veshët tanë dëgjuam botën të flasë. Tinguj të lehtë, këngë që ftonin trupin të kërcente, dhe zëra të butë që thonë “të dua”. Dëgjimi është porta e ndjenjave, që nuk shihen, por ndihen thellë në zemër.

Shqisa e shijes

Me gjuhën tonë të vogël dhe kureshtare, shijuam botën! Një copë çokollatë e ëmbël, një fetë limoni, që na bëri tashtrembëronim buzët me gaz – kuptuam se shija është si një festë e vogël, që ndodh brenda nesh, sa herë që provojmë diçka të re.

Pas mësimit të pesë shqisave, u argëtuam me dy koreografi të veçanta. Pamë lëvizjet e njëri-tjetrit. Dëgjuam muzikën me kujdes. Ndjemë ritmin me trupin tonë, që kërcente. Nuhatëm atmosferën që mbushej me energji dhe hare. Dhe disa prej nesh shijuan një ëmbëlsirë të vogël për ta festuar këtë ditë të veçantë!

Çfarë mësuam sot?

Shqisat tona nuk janë vetëm mjete për ta kuptuar botën - ato janë ura, që na lidhin me njëri-tjetrin.
Kur shohim me dashuri, prekim me kujdes, dëgjojmë me vëmendje, nuhasim kujtime dhe e shijojmë momentin - ne mësojmë, krijojmë dhe jetojmë me gjithë qenien tonë.

Deri në episodin tjetër, mos harroni: përdorni shqisat tuaja çdo ditë - si superfuqi të padukshme, që e bëjnë jetën më të bukur, më të ndjeshme dhe më të gjallë!