Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Njihemi me talentët e rinj të klubit “Ramiz Sadiku”

Shumë të entuziazmuar, fëmijët e klubit të futbollit “Ramiz Sadiku” ishin të gatshëm të mbanin stërvitjet së bashku me trajnerin e tyre. Futbolli është sport shumë i dashur për fëmijët. Madje është njëri prej sporteve më të popullarizuara në të gjithë botën. Loja zhvillohet në një fushë katërkëndëshe me porta në të dyja anët e fundit të saj. Qëllimi i lojës është të shënosh gol në portën kundërshtare.

Që kjo të arrihet lojtarët e ekipit duhet të bashkëpunojnë mes vete. Në mënyrë që ekipi të funksionojë sa më mirë, lojtarët së bashku me trajnerin zhvillojnë me njëri-tjetrin ushtrime që përvetësojnë aftësitë e tyre në këtë sport. Gjithashtu ato rrisin bashkëpunimin mes lojtarëve që të gjithë së bashku të zhvillojnë një lojë sa më të mirë. Secili ushtrim i ndihmon ata që të bëhen lojtarë të suksesshëm dhe të shënojnë fitore gjatë ndeshjeve. Futbolli është një sport shumë fitimprurës për shëndetin e të gjithëve. Më shumë për përfitimet e tij dhe sa e rëndësishme është që fëmijët të praktikojnë këtë sport, na tregoi trajneri Lumdrin Krasniqi. Lëvizjet e ndryshme, loja së bashku me miqtë dhe ritmi i saj e bën sportin e futbollit shumë të pëlqyer nga fëmijët.

Pas ushtrimeve ishte koha që ata të zhvillonin një lojë me njëri-tjetrin. Të ndarë në dy ekipe lojtarët e grupmoshës 7-8 të klubit “Ramiz Sadiku” filluan ndeshjen stërvitore. Secili prej tyre luante me shumë vullnet dhe dëshirë, duke bërë të pamundurën që të shënojnë sa më shumë gola në portën e kundërshtarit. Në të njëjtën kohë duke mbrojtur portën e ekipit të tyre që të ndalojnë shënimin e golave nga ekipi kundërshtar.

Fëmijët ishin shumë të dhënë pas lojës dhe përjetonin emocione nga më të ndryshmet, sepse ata e duan shumë sportin e futbollit dhe dëshirojnë që të arrijnë rezultate sa më të mira gjatë ndeshjes. Dëshira e madhe për të luajtur futboll dhe kënaqësia që dhuron e bëjnë futbollin të preferuar në gjithë botën. Kurse talentet e rinj të klubit “Ramiz Sadiku” ushtrojnë me shumë pasion që në të ardhmen t’i realizojnë ëndrrat e tyre.