Me shumë gëzim fëmijët së bashku me prindërit ose mësueset e tyre u mblodhën që të festojnë 1 Qershorin - Ditën e Fëmijëve. Kjo ditë është njëra nga më të preferuarat për fëmijët, sepse kanë mundësi të shijojnë aktivitete dhe programe të organizuara enkas për ta.
Kësaj radhe u shënuan aktivitete të shumta në sheshin e Prishtinës. Në çdo kënd të tij zhvilloheshin lojëra, sporte dhe aktivitete të llojllojshme shumë argëtuese. Të gjithë fëmijët kishin mundësinë që të shijonin secilën prej tyre. Mirëpo, ata zgjidhnin ato që pëlqenin më shumë.
Disa fëmijë kishin vendosur që të shfaqnin idetë dhe emocionet që përjetonin përmes vizatimit dhe ngjyrosjes, disa të tjerë preferonin që dikush tjetër t’ua pikturonte atyre fytyrat me personazhet dhe figurat më të preferuara për ta. E disa të tjerë preferonin më shumë sportet. Për këtë arsye klube të shumta të vendit tonë kanë praktikuar sportet e tyre për ditën e fëmijëve, sikurse pingpongun, basketbollin, gjimnastikën, futbollin dhe karatenë. Në këtë mënyrë fëmijët kishin mundësinë që të njihen nga afër me këto sporte e madje edhe t’i provonin ato.
Aktivitetet nuk përfunduan me kaq. Përveç lojërave pa fund, fëmijët kishin mundësinë që të njiheshin afër me tri profesione shumë të rëndësishme, siç është profesioni i policit, zjarrfikësit dhe mjekut të ndihmës së shpejtë. Të tri këto profesione ndihmojnë që jeta jonë të jetë sa më e shëndetshme dhe e sigurt. Madje për Ditën e Fëmijëve Policia e Kosovës po zhvillonte ndeshje të shumta basketbolli së bashku me lojtarët e këtij sporti.
Argëtimi vazhdonte e atë e përcillnin fytyrat e gëzuara të fëmijëve, të qeshurat pa fund dhe muzika e vazhdueshme. Nuk ka se si të vijonte ky aktivitet pa këngë e valle, të sjella me shumë pasion nga fëmijët, të cilët me shumë dëshirë e energji po festonin ditën më të dashur për ta.
Fëmijë, urime 1 Qershori dhe mos harroni se ju jeni ata që i sillni botës gjallëri. Prandaj, mos hezitoni asnjëherë të falni dashuri dhe mirësi.
-
1 Qershori shënohet me aktivitete nga sporti e deri te kampingu e kërkim-shpëtimi
-
Dita e Fëmijëve: Kuptimi, mbështetja dhe shprehja e të Drejtave të Fëmijëve
-
Programi Fluturues i Fëmijëve, me një edicion kushtuar 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve
-
Fëmijët në kremte për ditën e tyre
-
1 Qershori i takon fëmijët me kryetarin e Prishtinës