“Halloween” është një ditë e mbushur përplot me kostume, ëmbëlsira dhe argëtim, por ka një histori shumë të gjatë. E gjitha filloi me një festival pagan të keltëve, shumë kohë më parë. Keltët, njerëz të lashtë të Evropës, festonin Samhain për të shënuar fundin e verës dhe fillimin e dimrit. Ata besonin se kjo kohë e vitit ishte magjike, ku vija mes botës sonë dhe tjetrës zbehej.
Me kalimin e viteve, festimet dhe idetë e ndryshme u përzien së bashku, si një kazan i madh me supë. Romakët shtuan ditët e tyre të veçanta për të nderuar të vdekurit dhe një perëndeshë që quhej Pomona. Të gjitha këto data dhe festa të ndryshme u mblodhën për të krijuar atë që ne tani quajmë “Halloween”.
Me kalimin e viteve, 31 tetori u kthye në një datë për të veshur kostume interesante, për të shkuar derë më derë të kërkosh ëmbëlsira dhe për të dekoruar me gjëra të frikshme. E gjithë kjo, sot e bën Halloween-in një nga netët më të famshme në mbarë botën.
Tani, le të zhytemi në aventurën tonë me fëmijët që i takuam te kopshti “Kids World” dhe të shohim se si po e shënojnë ata Halloween!
Atje na mirëpritën një grup fëmijësh, të veshur me kostume nga më të ndryshmet dhe më kreativet që ju mund të imagjinoni. Nga fantazmat e frikshme e deri te shtrigat miqësore dhe princeshat e vogla, këta fëmijë ishin të gatshëm për një festë të llojit të vet.
Por, e gjithë kjo nuk ishte vetëm për kostumet dhe ëmbëlsirat; këta fëmijë më treguan edhe për disa eksperimente të mahnitshme. Ata po përgatisnin përbërës magjikë që do ta bënin çdo shtrigë ose magjistar xheloz.
Edhe më magjepsëse është se këto eksperimente nuk janë vetëm argëtuese, ato po ndihmojnë këta magjistarë të vegjël të zhvillojnë aftësitë e tyre motorike. Duke ndërtuar gjëra nga më interesantet dhe duke matur me kujdes mjetet e tyre magjike, ata po mësojnë aftësi të vlefshme që do t’u shërbejnë mirë kur të rriten.
Kështu që, ndërsa ne përgatitemi për Halloweenin, mos harroni të mbani sytë te këto ide të vogla për kostume, dhe kush e di, mbase do të frymëzoheni për veshjen tuaj të 31 tetorit.