PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Fëmijët shënojnë ditën e Tokës me aktivitete të ndryshme

Shumë të lumtur, fëmijët e kopshtit “Fillesa” pas bisedës me edukatoret e tyre rreth Ditës së Tokës, me padurim prisnin të fillonin aktivitetet për nder të kësaj dite. Nën udhëzimet e mësueses, secili nga ta duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin punonin punimet e tyre me shumë kënaqësi.

Dita e Tokës shënohet për të rritur ndërgjegjësimin rreth çështjeve mjedisore. Toka është planeti ku ne jetojmë dhe zhvillojmë veprimtari të ndryshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të kujdesemi për të.

Mirëpo, aktivitetet e kopshtit “Fillesa” për të shënuar këtë ditë nuk përfunduan me kaq. Grupi tjetër filloi realizmin e aktiviteteve në oborr. Disa fëmijë ngjyrosnin gurët me ngjyra të ndryshme, duke krijuar lule me bashkimin e tyre. E disa të tjerë realizonin vizatime të ndryshme që kanë të bëjnë me jetesën në Tokë, çfarë e bën Tokën planet të lumtur dhe çfarë e ndot atë.

E që festa për Ditën e Tokës të përfundoj sa më ëmbël, grupi i fundit i fëmijëve dekoronin kekët e vegjël me krem ëmbëlsirash. Kremi i ëmbëlsirave kishte ngjyrë të gjelbër dhe të kaltër, që simbolizonte ngjyrat që ka planeti ynë. Duke ndihmuar njëri tjetrin fëmijët shumë të lumtur dekoronin secilin nga kekët e tyre. E më pas i shijonin ata me shumë kënaqësi.

Pra, është shumë e rëndësishme që çdo ditë t’i kushtohet rëndësi planetit tonë përmes hapave të ndryshme që fëmijët përmendën. Vetëm duke ndjekur këta hapa ne mund të shndërrojmë Tokën në një vend të dashur dhe të shëndetshëm. Toka është planeti ynë dhe ne duhet ta duam dhe ta ruajmë atë!