Pas një dite të mbushur me mësime dhe aktivitete në kopsht apo shkollë, mënyra më e mirë për t’u relaksuar nga to është përmes ushtrimeve trupore. E këtë janë duke e praktikuar fëmijët në qendrën sportive “Fit Kids” në Prishtinë.
Si gjithmonë, para çdo aktiviteti fizik ata bëjnë ushtrime, të cilat fusin të gjithë trupin në lëvizje dhe e përgatitin atë të jetë i gatshëm për të ushtruar. Të gjithë fëmijët ishin shumë të gëzuar dhe realizonin të gjitha këto ushtrime me një dëshirë shumë të madhe. Dhe kjo nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ndikimi që kanë ushtrimet fizike tek ne është i mahnitshëm.
Të ndarë në dy grupe sipas moshës, fëmijët me ndihmën e trajnerëve realizonin ushtrime të ndryshme fizike, që janë shumë të rëndësishme për trupin dhe shëndetin. Çdoherë ata praktikonin lloje të veçanta të tyre, të cilat fëmijët nuk hezituan t’i ndanin me ne.
Vrapimet, kapërcimet, ecjet, zgjatjet e shumta dhe ushtrimet e tjera, që këta fëmijë praktikojnë në këtë qendër sportive shtojnë edhe më shumë kënaqësinë dhe interesimin e fëmijëve, që të mos hezitojnë të vijnë në orët e stërvitjes. Gjithashtu, përfitimet e mëdha që sjell në shëndetin mendor dhe fizik janë të panumërta. Për të gjitha këto na tregoi më shumë trajneri, Lorik Ramaj, i cili me shumë përkushtim po i stërvit fëmijët e “Fit Kids”.
Falë këtyre stërvitjeve, përveç se fëmijët kanë formuar muskuj, janë bërë më elastikë dhe të shpejtë. Ata gjithashtu kanë krijuar shoqëri të reja dhe kënaqen shumë, sepse të gjitha këto ushtrime ata i realizojnë me shokët dhe shoqet e tyre.
Pra, është shumë e rëndësishme që ju fëmijë të praktikoni ushtrime fizike. Nuk ka rëndësi se çfarë aktiviteti fizik apo sporti dëshironi të provoni. Mjafton që të zgjidhni atë që ju pëlqen dhe të filloni praktikimin e tij sa më parë. E nëse ju pëlqejnë më shumë ushtrimet e ndryshme trupore, atëherë qendra sportive “Fit Kids” është aty për t’ju ndihmuar të realizoni dëshirën tuaj. Gjithashtu, pasi të filloni ushtrimet, do të vëreni se sa bukur është që ne të zhvillojmë aktivitete të tilla sportive. Në këtë mënyrë, me shumë pasion dhe vullnet ju do të arrini të bëheni sportistë të fortë dhe të suksesshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.