PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Tenistët e vegjël me ëndrra të mëdha

Po e kalojnë ditën duke luajtur sportin e tyre të preferuar. Fëmijët e klubeve të ndryshme, të moshave 6 deri në 10 vjeç, janë mbledhur për të marrë pjesë në turnirin e organizuar në klubin e tenisit “Rilindja”.

Edhe pse sport individual që kërkon shumë përkushtim, tenisi ka filluar të tërheqë vëmendjen e fëmijëve. Ata synojnë të vazhdojnë punën dhe të arrijnë shumë në këtë sport. Disa prej tyre veçse kanë filluar të luajnë nëpër gara me sportistë nga vende të ndryshme jashtë Kosovës.

I njohur si një ndër sportet më të shëndetshme, me shumë vrapim dhe aktivitet fizik, tenisi është edhe i vështirë. Por, tenistët e vegjël thonë se e pëlqejnë këtë sport pikërisht për këto arsye.

Ata përveç se ushtrojnë tenis në ditët e caktuara me klubin, dalin e luajnë shpesh edhe me shokë që të kënaqen dhe të relaksohen..

Zhvillimi i shkathtësisë, shpejtësisë dhe forcës janë vetëm disa nga benefitet nga tenisi. Prandaj mundësitë e fëmijëve për t’u marrë me sporte nga më të ndryshmet janë të pafundme.