PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

A e dini si...?

Si veprojnë mikrobet?

Mikrobet janë organizma aq të vegjël sa nuk mund të shihen me sy. Disa janë të dobishëm, si për shembull mikrobet që mundësojnë bërjen e djathit. Të tjerët janë të dëmshëm, bartës të sëmundjeve dhe futen në rrjedhën e gjakut.

Si krijohen ethet?

Kur një mikrob futet në trup, rruazat e bardha të gjakut marrin përsipër ta luftojnë atë. Trupi mobilizon shumë energji në këtë “betejë” dhe krijon nxehtësi. Për pasojë temperatura e trupit shkon mbi 37 gradë Celcius. Pra ethet janë thjesht një betejë mes trupit dhe mikrobeve të dëmshme të futura në trup.

Pse bëhet vaksinimi?

Vaksinimi ka të bëjë me injektimin e mikrobeve të dobëta në gjak ashtu që rruazat e bardha të gjakut ta njohin mikrobin dhe ta luftojnë atë. Në këtë mënyrë krijohet imuniteti. Kështu, kur arrin një mikrob më i fortë, trupi është në gjendje ta përballojë atë.

Si bëhen barnat?

Barnat bëhen nga produkte natyrale apo kimike për të luftuar mikrobe të caktuara dhe për të përshpejtuar shërimin e sëmundjeve. Zbulimi i barnave të reja kërkon një kohë të gjatë.