Në kohët më të vjetra, kanë ekzistuar më shumë specie kafshësh se që ekzistojnë sot. Gjatë historisë disa specie janë zhdukur dhe ka të tilla të rrezikuara ende edhe në ditët e sotme.
Ka disa arsye përse kafshët mund të rrezikohen të zhduken. Shkatërrimi i vendit ku jetojnë, gjuetia, dobësia e gjenetikës, sëmundjet dhe lindshmëria e vogël janë shkaktarët kryesorë.
Së pari, le të kuptojmë më mirë se ç’do të thotë të ketë kafshë të rrezikuara.
Kafshët që gjenden në numër shumë të vogël dhe që janë afër zhdukjes quhen kafshë të rrezikuara.
Disa nga kafshët e rrezikuara janë tigrat. Tigri ka qenë i rrezikuar nga gjuetia për një kohë të gjatë për shkak të leshit të bukur. Tigrat gjithashtu po vdesin për shkak të prishjes së vendjetesave të tyre. Disa specie tigrash veçse janë zhdukur.
Leopardi është gjithashtu kafshë e rrezikuar. Edhe atë e gjuajnë për shkak të leshit të tij të bukur. Tani, më pak se 60 Leopardë të species Amur kanë mbetur të gjallë.
Kafshë të tjera të rrezikuara janë breshkat e detit. Ato vriten për vezët e tyre, mishin dhe lëkurën të cilat përdoren në vendet bregdetare. Ato gjithashtu vuajnë nga ndotja e deteve me kimikate dhe plastikë, të cilën ato mund ta konsumojnë dhe të vdesin.
Gorillat janë në rrezik me vetëm 1000-2000 të tilla të mbetura ne natyrë.
Rinoqerontët janë kafshë të tjera të rrezikuara për shkak të gjuetisë për brirët e tyre dhe për shkak të sëmundjeve të ndryshme.
Kafshë në rrezik për zhdukje janë edhe orangutanët, elefantët Sumaetranë dhe pandat.
A e dini ju se cilat janë kafshët tashmë të zhdukura?
Kafshë të zhdukura janë ato te të cilat të gjithë individët e species kanë vdekur. Kur një specie zhduket, ajo zhduket përgjithmonë dhe nuk mund të kthehet më.
Disa kafshë të zhdukura janë dinosaurët. Ata kanë jetuar në Tokë para miliona vjet[sh dhe zhdukja e tyre është ende një mister për shkencën.
Tjetër kafshë e zhdukur është edhe Mamuthi. Ai ka pasur madhësinë e elefantëve Afrikanë të sotëm. Kanë jetuar në vende të ftohta dhe janë zhdukur për shkak të klimës së ftohtë dhe gjuetisë për leshin dhe brirët e tyre.
Të tjerat kafshë të zhdukura janë: dreri irlandez dhe ariu fytyrëshkurtë.
Por, përse është e rëndësishme që të kujdesemi për kafshët dhe të shqetësohemi për zhdukjen e tyre?
Ekosistemet e shëndetshme varen nga speciet bimore dhe shtazore. Kur një specie rrezikohet, kjo është një shenjë që ekosistemi po shkatërrohet ngadalë. Ushqimi në natyrë shkon në mënyrë zinxhirore. Nëse zhduket një shtazë e vogël, do të zhduken edhe shtazët e tjera që ushqeheshin me të, e kështu do të rrezikohen ekosistemet si dhe vetë njeriu.