Letër për Babain…

ABEDIN EJUPI - CUCA

ABEDIN EJUPI - CUCA

(15.7.1961 - 26.12.1998)

Babi, njerëzit vdesin kur harrohen, ti për ne je ende gjallë!
 
Ne, familja jote të themi që koha nuk po arrin ta shuajë kujtimin tonë për ty. Kujtimin që na bën të lotojmë, por të buzëqeshim. Kujtimin që na bën të fortë, por të brishtë. Kujtimin që na mban të ngrohtë, por të pafuqishëm. Kujtimin që nuk na lë të kuptojmë për njëzet e tre vjet radhazi që babai ynë, sportisti e luftëtari, nuk është më në këtë botë. Do të doja të mund ta shihje se si po shkojnë jetët e fëmijëve të tu, se si gruaja jote ende mendon që vajzat e djemtë e saj janë fëmijë, se sa na ruan e kujdeset për ne, se si këshillat e saj nuk kanë të ndalur.
Do të doja të mund ta shihje se si vajzat e tua po jetojnë me guxim, se si djemtë e tu janë qenia jote e rilindur, se si duhemi e ia mbajmë krahun njëri-tjetrit. Do të doja të shihje se prapa çdo veprimi që bëjmë, mendojmë sa do të ishe krenar ti. Sa do të donim të ishe këtu! Sa do të donim t’i shihje nipat dhe mbesat e tua, rilindjen tënde të mishëruar në ta, frytin e pasuar nga familja jote. 
Do të doja Abedini të takonte Abedinin e vogël 7 vjeç, që sa herë shkel këmba e tij në atdheun që ti e doje aq fort, kërkon të takohet me ty, ta shohë e ta ndiejë vendin ku prehet shpirti i gjyshit të tij, emrin e të cilit e trashëgon, e besa edhe tiparet e tjera.
Ashtu siç na mësoje ti kur thoshe që jeta të godet, jeta vazhdon të jetë e tillë. Ndihemi të bekuar që kishim fatin që modeli i mashkullit, babai ynë, të jetë bokser, i cili gjithnjë na mësonte të godasim prapa, të mbrohemi e të mos dorëzohemi, të paktën deri në tingullin e ardhshëm. Na mësoje të mënjanojmë zhurmën e jetës, e të mendojmë për tingujt e bukur. Tingujt që do të donim t'i dëgjonim bashkë përgjithmonë.
Në ballafaqim me kuptimin e jetës dhe sfidat e zhgënjimet, gjithmonë na kujtohesh ti, se si nuk të zmbrapste asgjë, dhe i themi vetes: Duhet të jemi të fortë si babi!
Jetën po e jetojmë sipas mësimeve, idealeve e ëndrrave të tua dhe do të jemi krenarë me ty deri në fund të kohës.
Të gjithë ne, pasardhësit e tu, po mundohemi të nxjerrim më të mirën nga jeta, ashtu siç thoshe ti. Po mundohemi dhe do të vazhdojmë të mundohemi të të bëjmë krenar, ashtu siç jemi krenarë ne për ty dhe atë që ke lënë prapa.

Familja jote të përkujton gjithmonë me mallëngjim e dashuri! Bashkëshortja Flora, djemtë Islami e Flagranti, vajzat Lyzana, Floranda, Suzana, nusja Dardana, dhëndurët, nipi Abedini, Leka dhe mbesat Era e Hira dhe Hana.

Data e publikimit: 26.12.2021
Shpërndaje
Të tjera