Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Kur na përqafon francezi çfarë duhet të kujtojmë

Franca ka krijuar model të përsëritur në copëtimin e territorit dhe dëmtimit të parimit të së drejtës për vetëvendosje politike të shqiptarëve. Prandaj, kurdo e kudo që na përqafon francezi duhet t’ia kujtojmë këtë trashëgimi dhe kërkojmë reflektim të drejtë, për të ardhmen evropiane

Në narrativen zyrtare evropiane, Franca paraqitet si një nga shtyllat e qytetërimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Por kur vëmendja zhvendoset në Evropën Juglindore përkatësisht në fatin historik të trojeve shqiptare, kjo narrativë zbehet. Pas saj shfaqet një realitet i ashpër – një politikë e përsëritur që ka kontribuuar në dobësimin, copëtimin dhe margjinalizimin e kombit shqiptar.

Brenda rolit të fuqive të mëdha të kohës, roli i Francës nuk mund të relativizohet sot e aq më pak të harrohet, sepse Franca ka qenë jo vetëm pjesëmarrëse, por shpesh promotore e zgjidhjeve që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesat e kombit tonë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Kongresin e Berlinit më 1878, Franca ishte zëri i kërkesës në legjitimimin e copëtimit të trojeve etnike shqiptare. Ishin pikërisht përfaqësuesit francezë që kanë shpërfillur realitetin në mbështetje të elementit sllav për t’u dhënë territore shqiptare Malit të Zi dhe Serbisë, duke injoruar plotësisht platformën politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe kjo, nuk ishte thjesht kompromis diplomatik – ishte një akt që legjitimoi ndërkombëtarisht shpërbërjen e hapësirës shqiptare.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, pasi Shqipëria kishte shpallur mëvetësinë dhe po konsolidohej kombi politik, Franca qe zëri që mbështeti kufij të cunguar, që e la të gjymtuar kombin shqiptar ku pjesët territoriale me popullatë autoktone ia konfirmuan Malit të Zi, Kosovën Serbisë dhe Çamërinë Greqisë. Ky gjymtim i kombit shqiptar nuk ishte thjesht vendim teknik – ishte zgjedhje politike që i bëheshin favore Rusisë cariste për proxy-it e saj në Evropën Juglindore – sot në Ballkan.

Në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, pas Luftës së Parë Botërore, qarqe diplomatike franceze hodhën idenë e ndarjes së Shqipërisë, ndërmjet grekëve, italianëve dhe sllavëve sepse e konsideronin si të sakrifikueshëm dhe negociueshëm për interesat e fuqive të kohës. Shqipëria nuk u zhduk por këto plane nuk e zbusin përgjegjësinë politike të Francës – përkundrazi , tregon qartë se ekzistenca e kombit shqiptar ishte e negociueshme në sytë e saj.

Përgjatë shekullit XX, Franca ndoqi po të njëjtën qasje në mbështetje proxy-ve të Rusisë në Ballkan, veçanërisht Serbisë, në ruajtjen e një status quo-je rajonale. Edhe gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Franca ruante qëndrimin e saj përmes hezitimit, vonesës dhe mungesës së presionit për zgjidhje të drejta humane dhe politike.

Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, Francën përkundër pjesëmarrjes së saj në Aleancën Veriatlantike, e gjeti të vonuar. Kjo e dëshmuar edhe përgjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Pas luftës në Kosovë, hapësira administruese, veçanërisht veriu i Kosovës nga Franca, mbahej hapësirë tensionimi për interesa serbe. Pezullimi i heqjes së regjimit të vizave nga 2018-ta për qytetarët e Kosovës ishte bërë nga Franca për shkak të temës së përhapur mbi korrigjimin/shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës më 2024, u bë me kërkesë të Francës me kushtin e jetësimit të “zajednicës”. Serbia vazhdon të paraqesë rrezik të drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës por edhe për fqinjët e tjerët duke i rritur kapacitetet ushtarake me armatim nga Rusia e Kina, por edhe nga vetë Franca me avionët Rafale, duke i mundësuar kështu rimarrjen e statusit të hegjemonisë së humbur Jugosllave, në rajon.

Pra, të gjitha këto data historike-politike një nga një por marrë të gjitha së bashku, na tregojnë se Franca ka krijuar model të përsëritur në copëtimin e territorit dhe dëmtimit të parimit të së drejtës për vetëvendosje politike. Prandaj, kurdo e kudo që na përqafon francezi duhet t’ia kujtojmë këtë trashëgimi dhe kërkojmë reflektim të drejtë, për të ardhmen evropiane.

(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)