Opinion

Hipokrizia e organizuar e sovranitetit

Stephen Krasner, në librin Sovraniteti: Hipokrizia e Organizuar (1999), e sfidon kuptimin tradicional të sovranitetit duke argumentuar se ai nuk është një normë e qëndrueshme dhe universale, por një parim që zbatohet në mënyrë selektive, në varësi të interesave dhe raporteve të fuqisë

Sovraniteti është një koncept që herë pas here dominon diskursin politik. Në Kosovë, në vitin 2008, Kuvendi e shpalli shtetin “të pavarur dhe sovran”, ndërsa gjatë viteve 2022–2025 debati publik u përqendrua te “shtrirja e sovranitetit në veri të vendit”. Në Bashkimin Evropian, vende si Hungaria apo parti të djathta euroskeptike e theksojnë vazhdimisht sovranitetin kombëtar përballë Brukselit. Megjithatë, pavarësisht përdorimit të shpeshtë politik, sovranitetit shpeshherë i ndërrohet kuptimi.

Stephen Krasner, në librin Sovraniteti: Hipokrizia e Organizuar (1999), e sfidon kuptimin tradicional të sovranitetit duke argumentuar se ai nuk është një normë e qëndrueshme dhe universale, por një parim që zbatohet në mënyrë selektive, në varësi të interesave dhe raporteve të fuqisë. Krasner identifikon katër forma të sovranitetit: sovranitetin e brendshëm (autoriteti legal dhe kontrolli efektiv mbi territorin), sovranitetin e ndërvarur (kapaciteti për të kontrolluar rrjedhat transnacionale, si tregtia), sovranitetin ndërkombëtar (njohjen nga shtetet e tjera) dhe sovranitetin westfalian (autonominë e vendimmarrjes së brendshme nga ndërhyrjet e jashtme).

Libri përqendrohet kryesisht te sovraniteti ndërkombëtar dhe ai westfalian, pra te mënyrat se si shtetet ndërhyjnë në strukturat e brendshme të njëri-tjetrit, qoftë përmes presionit, imponimit apo marrëveshjeve që ftojnë aktorë të jashtëm të ndikojnë autoritetin vendor. Argumenti qendror i Krasnerit është se në politikën ndërkombëtare veprimet e shteteve udhëhiqen më shumë nga ajo që është e përshtatshme në një moment të caktuar sesa nga respektimi konsekuent i normave. Kjo prodhon atë që ai e quan “hipokrizi e organizuar”: normat e sovranitetit afirmohen në diskurs, por shkelen rregullisht në praktikë.

Kjo qasje ndihmon në mënyrë të veçantë për të kuptuar sjelljen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. BE-ja argumenton se procesi i integrimit të Kosovës nuk mund të ecë përpara pa dialogun me Serbinë, ndërsa për Moldavinë mban qëndrimin se integrimi i saj nuk mund të jetë peng i Transnistrisë dhe Rusisë. Ngjashëm, BE-ja nuk i njeh pasaportat ruse të lëshuara në Krime, duke i konsideruar shkelje të sovranitetit të Ukrainës, por njeh dokumente të lëshuara nga institucionet paralele serbe në Kosovë, të cilat vetë Kosova nuk i njeh si dokumente udhëtimi. Nga perspektiva e Krasnerit, kjo sjellje nuk është devijim, por normalitet: logjika e të përshtatshmes tejkalon logjikën e pasojave dhe të normave.

Në rastin e Moldavisë dhe Ukrainës, BE-ja, e cila e ka ndërtuar një pjesë të identitetit të saj politik në kundërshtim me Rusinë, i mbështet vendet që kanë konflikte të drejtpërdrejta me të. Kosova, ndryshe, përballet me Serbinë, e cila brenda BE-së nuk shihet me të njëjtin nivel kërcënimi strategjik si Rusia. Kjo pabarazi perceptimi shpjegon pse presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës është më i madh se ndaj vendeve të tjera në situata strukturalisht të ngjashme. Shembuj të tillë janë të shumtë: Estonia ndaloi votimin e qytetarëve rusë pa reagim ndërkombëtar domethënës, ndërsa Kosova u përball me presion të jashtëzakonshëm për të mos ndaluar zgjedhjet e Serbisë në territorin e saj.

Një tjetër dimension i hipokrizisë së sovranitetit lidhet me njohjen ndërkombëtare. Sipas Krasnerit, shtetet nuk njohin entitete të reja bazuar në kritere objektive të shtetësisë, por sipas interesave të tyre politike. Për këtë arsye, ndonjëherë njihen qeveri që nuk kanë kontroll efektiv mbi territorin, madje as territor fare, ndërsa në raste të tjera u mohohet njohja entiteteve që i plotësojnë këto kritere. Historia ofron shembuj të shumtë: India ishte nënshkruese e Traktatit të Versajës dhe anëtare e Ligës së Kombeve edhe pse ishte ende koloni; Filipinet ishin ndër themelueset e OKB-së pa qenë shtet i pavarur; Ukraina dhe Bjellorusia u bënë anëtare të OKB-së edhe pse ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Raste të tilla që krijojnë kontradiktë ekzistojnë edhe në njohjen e Kosovës. Spanja, për shembull, shpreh solidaritet me popullin palestinez dhe njeh shtetin palestinez, por refuzon të njohë Kosovën, ndonëse kjo e fundit ishte viktimë e spastrimit etnik. Këto kundërthënie nuk janë përjashtime, por pjesë përbërëse e mënyrës se si funksionon rendi ndërkombëtar.

 

Ballkani, sovraniteti dhe të drejtat e minoriteteve

 

Ballkani përbën një rast ilustrues për marrëdhënien mes krijimit të shteteve, sovranitetit dhe të drejtave të minoriteteve. Ndryshe nga shumë pjesë të botës, shtetet e Ballkanit u formuan kryesisht përmes dakordësisë së fuqive të mëdha. Njohja e tyre ndërkombëtare u kushtëzua me garantimin e të drejtave të minoriteteve, jo për shkak të bindjes normative të elitave vendore, por për arsye stabiliteti ndërkombëtar. Kjo ndodhi në Greqi më 1832 dhe në Serbi, Mal të Zi, Rumani e Bullgari më 1878.

E njëjta logjikë u rikthye në fund të viteve ’90 me shpërbërjen e Jugosllavisë. Njohja e Sllovenisë dhe Kroacisë u kushtëzua me mbrojtjen e minoriteteve; Bosnja me Dejtonin u bë shtet i mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Serbia me nënshkrimin e Paqes së Dejtonit më 1995 siguroi një lloj paqeje të përkohshme. Vendet evropiane si p.sh. Gjermania kushtëzuan nivelin e ndihmës financiare ndërkombëtare për Serbinë, si dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, nga politikat e Serbisë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave, kthimin e refugjatëve dhe vendosjen e një autonomie më të gjerë shqiptarët në Kosovë (f.102). Ishte pikërisht shkelja e vazhdueshme e të drejtave minoritare nga Serbia dhe rezolutave të ndryshme të OKB-së për ndaljen e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, që përfundimisht çuan në humbjen e sovranitetit të saj mbi Kosovën.

Ndërsa, Kosova u njoh mbi bazën e një pakete të gjerë garancish për komunitetet joshumicë, përfshirë decentralizimin etnik, ulëset e rezervuara për pakica dhe shumicë të dyfishtë për ndryshime kushtetuese. 

Në fund, sovraniteti nuk është një gjendje fikse, por një konstrukt politik dhe juridik që historikisht është zbatuar në mënyrë selektive. Shumë pak shtete kanë gëzuar njëherazi territor, kontroll efektiv, autonomi të plotë dhe njohje. Ndërhyrjet e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe praktikat e njohjes selektive e kanë cenuar vazhdimisht këtë parim. Kështu, edhe pse sovraniteti ka mbijetuar si normë, ai është shkelur sistematikisht, duke prodhuar një “hipokrizi të organizuar”. Në rendin ndërkombëtar, veprimet e shteteve ndjekin më shpesh logjikën e interesit sesa atë të normave, duke e bërë sovranitetin më shumë instrument politik sesa parim universal.

 

(Autori është doktorant i shkencave politike në Universitetin e Heidelbergut)