Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Gazi amerikan dhe zgjedhja e Kosovës

Nuk jam këtu për ta mbrojtur kontratën amerikane. Jam këtu për të mbrojtur idenë se Kosova duhet të jetë e aftë të marrë vendime të vështira me argumente dhe jo t'i shmangë ato me heshtje. Sovraniteti i vërtetë nuk fillon me refuzimin e bisedës. Fillon me zotësinë për ta zhvilluar atë deri në fund

1.

Javën e kaluar e lexova me kujdes op-ed-in e Ambasadës amerikane në Prishtinë. E lexova dy herë, jo sepse ishte i errët, por sepse isha i sigurt se po e keqkuptoja. Nuk e keqkuptoja. Ambasada amerikane, pesë ditë para zgjedhjeve, ka publikuar një tekst zyrtar ku u thotë hapur qeverisë së Kosovës: jeni të vetmit në Ballkan jashtë hartës së gazit. Dyert po mbyllen. Vendosni.
Por kur ambasada amerikane në Prishtinë publikon një tekst zyrtar pesë ditë para zgjedhjeve, me titull "Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën", ky nuk duket të jetë thjeshtë OpEd. Qartazi është komunikim diplomatik i koduar si editorial. Dhe detyra e çdo politikani në Kosovë është ta lexojë saktë, jo ta refuzojë me bujë dhe as ta pranojë me heshtje.
Mesazhi është i thjeshtë deri në vrazhdësi: Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që nuk ka lidhje me gazsjellësin dhe nuk planifikon ta ketë. Shqipëria ka nënshkruar, Kroacia poashtu, ndërsa Bosnja po  negocion. Kosova ndërkaq pret pa ditur çfarë pret.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

2.

Para se të shkojmë më tej, duhet thënë një gjë debati politik kosovar: fraza “gaz amerikan” është etiketë politike dhe komerciale dhe jo përshkrim logjistik.
LNG-ja (Liquefied Natural Gas) që i ofrohet Kosovës nuk transportohet drejtpërdrejt nga brigjet amerikane në Kosovë. SHBA eksporton LNG me anije drejt Europës, në terminalet e Greqisë (Alexandroupolis), Kroacisë dhe Shqipërisë. Atje ri-gazifikohet, hyn në rrjetin europian të tubacioneve dhe pasi kalon nëpër dy-tre infrastruktura ndërmjetëse, mund të arrijë edhe në Kosovë - nëse Kosova ka me çfarë ta marrë.
Kontratat nënshkruhen me kompanitë amerikane, dhe çmimi përfundimtar përfshin kostot e lëngëzimit, transportit detar, ri-gazifikimit dhe tubacionit rajonal.
Kjo gjithsesi nuk e zhvlerëson ofertën. Por e bën debatin shumë më kompleks se sa pretendojnë të dyja palët: as “gaz i lirë dhe i pastër amerikan” siç premton opozita, as “kurth kolonial” siç nënkupton qeveria. Është kontratë industriale me zinxhir furnizimi europian dhe certifikatë origjine amerikane. Dy gjëra krejt të ndryshme.
Kur zgjedh midis dy varësive, zgjedh atë që të jep më shumë hapësirë manovruese.

3.

E kuptoj logjikën amerikane. Çdo administratë e SHBA-së përfshirë edhe kjo e Trump-it më shumë se të tjerat e ka kthyer gazin natyror në instrument të politikës së jashtme. Amerika është prodhuesi i parë botëror i gazit që nga viti 2011 dhe kërkon tregje afatgjata. 
Ajo që nuk e kuptoj  dhe nuk e kam kuptuar kurrë është mënyra se si Kosova e trajton çdo kërkesë të jashtme si sulm ndaj sovranitetit, edhe kur ajo kërkesë mund të shërbejë njëkohësisht dy interesa. Ekzistojnë raste kur interesi i huaj dhe ai vendas takohen. Ky mund të jetë një prej tyre.
Vetëm në vitin 2025, Kosova dha 259 milionë euro për të blerë rrymë nga fqinjët. Katër vjet radhazi rreth 735 milionë gjithsej. Një pjesë e mirë e këtyre parave shkoi tek vende me të cilat kemi mosmarrëveshje historike, politike dhe territoriale të pazgjidhura. Pavarësinë e shpallim çdo 17 shkurt. Faturën e energjisë e paguajmë çdo muaj dhe e paguajmë pikërisht tek ata që 17 shkurtin e trajtojnë si datë të zakonshme kalendarike.

4.

Askush nuk po kërkon që një qeveri të marrë vendime 20-vjeçare me nxitim.
Është e vërtetë se çdo vendim i madh infrastrukturor kërkon analizë. Asnjë qeveri serioze nuk nënshkruan kontrata 20-vjeçare pa llogaritje. E di këtë dhe e pranoj.
Por dallimi i madh është mes shtyrjes për të kuptuar më shumë dhe shtyrjes për të mos folur fare. Mes “nuk dimë mjaftueshëm” dhe “nuk duam të debatojmë”, Qeveria Kurti i ka përzier këto me vetëdije për arsye të frikës politike nga debati i brendshëm.
Qeveria Kurti ka reaguar ndaj kësaj teme me heshtje, e cila është gjuha e saj e preferuar kur nuk ka përgjigje të gatshme.  
Opozita, ndërkaq, e ka kapur këtë si armë elektorale. Opozita premton gazin amerikan siç premton çdo gjë, si simbol të aleancës me Amerikën, jo si projekt teknik me parametra, afate dhe çmime reale. Sikur dikush në këtë vend t'i kishte bërë llogaritë me seriozitet, me ekspertë të fushës, me studime fizibiliteti, me numra të vërtetë, kjo kolumnë nuk do të kishte pasur arsye të ekzistonte. E shkruaj pikërisht sepse askush tjetër nuk e ka bërë punën e vet.

5.

Gazi natyror nuk është alternativa ideale për klimën dhe as për Kosovën e vitit 2050. Bashkimi Europian ka vendosur kufijtë e vet mbi investimet në lëndë djegëse fosile. Kosova që aspiron integrimin europian nuk mund ta injorojë këtë fakt. Këtu ka tension real dhe nuk ja vlen ta fshehësh.
Por ky tension duhet diskutuar dhe jo fshehur. Dhe mënyra e diskutimit ka po aq rëndësi sa vetë vendimi, sepse një vend që nuk di të debatojë me vete, nuk di as të negociojë me të tjerët. Nuk mund të thuash njëkohësisht “jemi pro-europianë” dhe të mos kesh asnjë plan alternativ për mbulimin e 259 milionëve euro të deficitit energjetik vjetor. Europeizmi do të thotë program qeverisës dhe jo retorikë boshe.
Gjermanët dhe italianët tani po ndërtojnë terminale LNG, ndërkohë që diskutojnë tranzicionin energjetik. Pragmatizmi dhe vizioni afatgjatë nuk janë të papajtueshëm me njëra tjetrën, por janë dy kushte të njëkohshme të qeverisjes serioze.

6.

Nuk jam këtu për të mbrojtur kontratën amerikane. Jam këtu për të mbrojtur idenë se Kosova duhet të jetë e aftë të marrë vendime të vështira me argumente dhe jo t'i shmangë ato me heshtje. Sovraniteti i vërtetë nuk fillon me refuzimin e bisedës. Fillon me zotësinë për ta zhvilluar atë deri në fund.
Greqia ka mosmarrëveshje me SHBA-në. Turqia blen armë ruse dhe mbetet aleate e SHBA-së. Shqipëria ka nënshkruar me Venture Global pa humbur asnjë milimetër sovranitet. Botën reale e qeverisin kompromise të menduara mirë dhe jo parime të paprekura.
Nuk ka vend të vogël e të ri në botë që mund të luajë indiferencë ndaj aleatëve strategjikë dhe të mbijetojë pa kosto. Kosova ka mbijetuar deri tani, sepse ka pasur mburojën e KFOR-it, Euro-n si monedhë, remitancat e diasporës dhe vullnetin e mirë të Perëndimit. Asnjë prej këtyre nuk është i garantuar përjetë.

(Autori është hulumtues i pavarur, i specializuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare)