Fadil Maloku
Tash pas përfundimit të zgjedhjeve, nëse bëjmë një blick-krieg të shkurtër, kuptojmë qartë se kush është fituesi faktik. Shqiptarët, të rënë në deliriumin e “fitoreve” mbi feudet dhe kibucët partiakë, aq shumë janë duke u krekosur, sa të mbushet mendja se “fitoret” e tyre meritojnë një vëmendje të posaçme! Ndërkohë, serbët lokalë, që fituan të drejtën e menaxhimit mbi dhjetë komuna, në heshtje dhe diskrecion të plotë, po përgatiten të realizojnë planet e “ripushtimit” të brendshëm të “djepit” apo “Jerusalemit” të Serbisë!
Çfarë nënkuptojnë këto dy fitore?
Shikuar nga këndvështrimi sociologjik, mund të themi se dominimi i shumicës së komunave nga Lista Serpska tregon qartë se partitë shqiptare ende nuk kanë arritur të ndikojnë politikisht në komunat me shumicë serbe, duke e lënë hapësirën e përfaqësimit nën kontrollin e Beogradit. Në anën tjetër, fitorja e Listës Serpska në shumicën e komunave kosovare me popullatë serbe është edhe një indikator i qartë që dëshmon fuqizimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë. Një fitore e tillë, me dominim pothuajse absolut, përbën një ristrukturim institucional të ndikimit të Beogradit përmes instrumenteve demokratike – pra, një “dorë e fshehur” që veproi përmes kutisë së votimit.
Fitoret e serbëve lokalë në dhjetë komuna janë, në fakt, edhe një mesazh i qartë ndaj Qeverisë së Kosovës: zgjedhësit serbë, duke votuar sërish në masë për Listën Sërpska, dërguan një sinjal politik kundër politikave aktuale të Prishtinës, sidomos ndaj masave të reciprocitetit, mospërfshirjes në institucione dhe mungesës së dialogut të drejtpërdrejtë në Bruksel.
Solidariteti etno-politik dhe mungesa e integrimit
Sociologjikisht, dominimi i 3% serb nënkupton fuqizimin e një solidariteti etno-politik të paprecedentë, ku vota e përqendruar tek Lista Serpska dëshmon, përveç lojalitetit të theksuar etnik ndaj qendrës politike serbe në Beograd, edhe një homogjenitet të rrallë në gjithë periudhën e pasluftës. Themi kështu, sepse, vota e qytetarëve serb nuk ishte votë e njëmendët qytetare, por ishte ekskluzivisht një votë identitare – jo racionale. Po ashtu, fitorja në mbi dhjetë komuna vë në pah edhe një element të ri që detyrimisht ka të bëjë me vazhdimësinë e kulturës së varësisë politike. Serbët e Kosovës mbeten ende të lidhur sociologjikisht me strukturat politike, ekonomike e kulturore të Serbisë, gjë që dëshmon mungesën e integrimit social dhe institucional në shoqërinë kosovare.
Sfida për funksionalitetin e shtetësisë së Kosovës
Një tjetër problem që pritet të dalë në pah është ai i sfidave për funksionalitetin e shtetësisë së Kosovës. Një dominim i tillë në shumicën e komunave do ta bëjë shumë më të vështirë zbatimin e politikave shtetërore në veri dhe në komunat me shumicë serbe, sepse organet komunale do të vazhdojnë të jenë nën dirigjim të plotë nga politikat ekspansioniste të Beogradit. Tani Beogradit, me "dorë" tonë ia dhamë argumentin e legalitetit dhe legjitimitetit të një subjekti kontrovers, madje të dyshuar për angazhime antishtetërore – sikurse ishte rasti i Banjskës. Ka gjasa reale që rezultati i arritur në zgjedhjet e 9 nëntorit, së shpejti do të përdoret maksimalisht nga Serbia si argument politik në Bruksel, për të legjitimuar kërkesat për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për një autonomi funksionale.
Fitoret e Pirros dhe realiteti paralel
Në thelb, duhet thënë që zgjedhjet e 9 nëntorit nuk ishin garë për zhvillim lokal, por një test për sovranitetin real të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës, të zënë në grackën e vetëkënaqësisë së fitoreve mbi “feudet” dhe “krahinat” irelevante, harruan se politika nuk matet me numra, por me ushtrimin dhe fuqizimin e ndikimit në pushtet. Serbët, përkundrazi, heshtën, u organizuan dhe fituan aty ku shteti i Kosovës besonte se e ka shtrirë përfundimisht sovranitetin e vet. Një temë kjo që mbetet për t’u testuar në të ardhmen e afërt…
P. S. Në këtë kuptim, “fitoret e Pirros” të partive shqiptare janë iluzione numerike, ndërsa fitorja e Listës Serpska është strategjike dhe strukturore. E para ushqen deliriumin e përkohshëm të pushtetit, e dyta ndërton themelet e një realiteti paralel që rrezikon ta kontestojë, komprometojë dhe, madje, ta zhbëjë ngadalë, por sigurt, vetë shtetësinë për të cilën po krekosemi se u fitua me gjak...