Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër Kosovën, kjo nuk është çështje abstrakte, por realitet i përditshëm që kërkon përgjigje të strukturuara dhe jo reagime të vonuara. Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi kryesor ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, jo vetëm përmes kapaciteteve të saj ushtarake, por edhe përmes një spektri të gjerë veprimesh hibride që synojnë ta mbajnë vendin në gjendje të vazhdueshme pasigurie. Sulmi në Banjskë mbetet dëshmia më e qartë se përdorimi i forcës vazhdon të jetë pjesë e kalkulimeve të Beogradit, ndërsa sabotimi i infrastrukturës kritike, si rasti i dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc, e dëshmoi sa të cenueshme mbeten nyjat jetike të funksionimit të shtetit. Këtyre u shtohen përpjekjet për të nxitur tensione të brendshme, për të ushqyer ndasi shoqërore dhe për të ndikuar mbi proceset demokratike e besimin në institucione. Në këtë kuptim, mbrojtja nuk është vetëm çështje ushtarake; ajo hyn në vetë themelin e funksionimit demokratik dhe të qëndrueshmërisë institucionale të Kosovës.
Ndërkohë, Evropa po përjeton një rishkrim të thellë të paradigmës së saj të sigurisë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e rrëzoi iluzionin se kontinenti mund të jetojë i shkëputur nga rreziku i luftës, ndërsa paqartësitë rreth rolit afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në NATO po i shtyjnë shtetet evropiane të mendojnë më seriozisht për autonominë e tyre strategjike. Kjo zhvendosje nuk po reflektohet vetëm në rritjen e buxheteve të mbrojtjes, por edhe në investime në industri vendore, në kapacitete logjistike, në mbrojtje kibernetike dhe në infrastrukturë me përdorim të dyfishtë, e cila në kohë paqeje mbështet zhvillimin ekonomik, ndërsa në kohë lufte bëhet pjesë e qëndrueshmërisë kombëtare.
Kjo qasje është përforcuar edhe nga pasiguria politike në qendrat kryesore të Perëndimit. Një administratë amerikane më pak e angazhuar ndaj Evropës, apo perspektiva e qeverive me qasje më skeptike ndaj NATO-s dhe zgjerimit të saj, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar me Farage, në Francë me Bardella apo në Gjermani me Weidel, e bën të domosdoshme që shtetet e vogla të mos e ndërtojnë strategjinë e tyre mbi supozime dëshirore. Në vend të kësaj, ato duhet të planifikojnë për skenarë më pak të favorshëm, të rrisin kapacitetet e tyre për vetëmbrojtje dhe të zhvillojnë qëndrueshmërinë e brendshme që nuk varet vetëm nga lëvizjet e aleatëve të mëdhenj.
Në këtë sfond, diskursi politik në Kosovë para zgjedhjeve të 7 qershorit duket i shkëputur nga realiteti. Përveç diskutimeve të ditëve të fundit për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, partitë politike nuk kanë prezantuar ide të reja apo konkrete që u përshtaten sfidave ekzistuese dhe të reja me të cilat po ballafaqohet vendi. Shumë prej partive vazhdojnë të operojnë me një logjikë që e sheh sigurinë kryesisht si funksion të mbështetjes ndërkombëtare, duke e anashkaluar nevojën për ndërtim sistematik të kapaciteteve vendore. Kjo nuk është vetëm mungesë vizioni, por edhe shmangie nga përgjegjësia. Sepse një parti që nuk artikulon dot se si do të mbrohet vendi në vitet që vijnë, nuk e ka problem vetëm (mungesën) e programit politik; ka problem me vetë konceptin e shtetformimit.
Shembulli më i qartë i kësaj qasjeje është reduktimi i politikës së mbrojtjes në një formulë të vetme: anëtarësimi në NATO. Pa dyshim, ky mbetet objektiv strategjik dhe i domosdoshëm për Kosovën. Por, kur një synim i tillë përsëritet si refren bosh, pa u shoqëruar me hapa konkretë, ai shndërrohet në zëvendësim të mendimit politik dhe jo në shprehje të tij. NATO nuk është një zgjidhje e menjëhershme për shkak të shteteve mosnjohëse, as garanci që vjen me automatizëm, sidomos në një periudhë kur shumë prej parametrave të sigurisë evropiane janë bërë më të paqarta. Prandaj, insistimi ekskluziv në NATO, pa politikë të brendshme mbrojtjeje, krijon një iluzion sigurie që mund ta lërë vendin pa përgjigje për sfidat e menjëhershme.
Ajo që mungon, në fakt, është një debat i mirëfilltë mbi arkitekturën e mbrojtjes që Kosova duhet të ndërtojë në raport me sfidat e sotme dhe ndryshimet që po sjell rendi i ri ndërkombëtar. Një qasje serioze do të kërkonte që partitë politike të pozicionohen qartë për çështje themelore, sepse mbrojtja nuk ndërtohet me deklarata të përgjithshme, por me zgjedhje të qarta, me prioritete të përcaktuara dhe me buxhet të llogaritur.
Së pari, duhet të sqarohet modeli i forcës që Kosova synon ta ndërtojë përtej tranzicionit të FSK-së. A do të ketë vendi forca të armatosura lehtë, të lëvizshme dhe të fokusuar në mbrojtje territoriale, apo synon një strukturë më të gjerë me kapacitete të specializuara? Si do të zhvillohet komponenti rezervist dhe çfarë roli do të ketë shoqëria, bizneset dhe organizatat në konceptin e mbrojtjes kombëtare? Pa përgjigje të qarta për këto pyetje, çdo debat për mbrojtje mbetet i paplotë.
Së dyti, partitë duhet të tregojnë se si do të ndërtohen kapacitetet reale. Cilat janë prioritetet në pajisje, trajnim dhe interoperabilitet me partnerët? Si do të balancohet nevoja për modernizim me kufizimet buxhetore? A ekzistojnë plane shumëvjeçare që lidhin objektivat me burimet, apo gjithçka mbetet në nivelin e dëshirës politike? Mbrojtja e besueshme nuk ndërtohet me improvizim, por me planifikim të qëndrueshëm dhe me disiplinë institucionale.
Së treti, mbrojtja në kohën e sotme nuk mund të kufizohet vetëm te uniforma dhe armatimi. Partitë duhet të thonë se e mbështesin konceptin e mbrojtjes totale të promovuar nga qeveria, apo a kanë një qasje tjetër për mbrojtjen e vendit. Si do të mbrohen rrjetet energjetike, furnizimi me ujë, komunikimet dhe infrastruktura digjitale nga sabotimi dhe sulmet kibernetike? Çfarë investimesh kërkohen në shëndetësi, transport dhe logjistikë për të përballuar situata krize ose lufte? Në një shtet të vogël, siguria e infrastrukturës është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e kufijve.
Së katërti, duhet të trajtohet seriozisht dimensioni industrial dhe ekonomik i mbrojtjes. A synon Kosova të zhvillojë kapacitete prodhuese në fusha të caktuara, apo do të fokusohet në kapacitete mirëmbajtëse dhe mbështetëse që i shërbejnë mbrojtjes? Si lidhen këto me zhvillimin ekonomik më të gjerë, me zinxhirët e furnizimit dhe me qëndrueshmërinë e sektorit publik? Vendet serioze e trajtojnë mbrojtjen edhe si projekt zhvillimor; Kosova nuk mund të sillet sikur kjo pjesë e politikës nuk ekziston.
Së pesti, koordinimi institucional është po aq i rëndësishëm sa kapacitetet e veta ushtarake. Si do të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe institucioneve civile për t’u përballur me kërcënime hibride që nuk respektojnë kufijtë klasikë të kompetencave? Sulmet moderne nuk vijnë vetëm me armë; ato vijnë me dezinformim, me presion mbi infrastrukturën, me infiltrime dhe me përpjekje për ta paralizuar vendimmarrjen. Shteti që nuk e kupton këtë, mbetet gjithmonë një hap prapa rrezikut.
Së gjashti, menaxhimi i aleancave duhet të dalë përtej formulës së përgjithshme “NATO”. Me kë do të thellohen partneritetet bilaterale dhe rajonale që mund të sjellin mbështetje konkrete në afat të shkurtër dhe të mesëm? Cilat janë marrëveshjet që mund të përforcojnë kapacitetet e Kosovës sot, jo vetëm në një të ardhme të pacaktuar? Në mungesë të një politike aktive të aleancave, edhe partneritetet më të mira mbeten të papërdorura.
Pikërisht këto janë pyetjet që do të duhej të ishin në qendër të debatit për zgjedhjet e 7 qershorit. Zgjedhjet nuk kanë kuptim nëse qytetarëve u mohohet mundësia për të krahasuar alternativa reale dhe për të gjykuar se cila parti e ka seriozisht mbrojtjen e shtetit. Fakti që këto tema pothuajse mungojnë në fushatë tregon një boshllëk të rrezikshëm midis sfidave reale me të cilat përballet Kosova dhe ofertës politike që i paraqitet elektoratit. Në një moment kur mbrojtja duhet të jetë prioritet i pakontestueshëm, ajo trajtohet si çështje dytësore ose anashkalohet krejtësisht.
Kjo duhet të ndryshojë. Partitë politike duhet të detyrohen, përmes presionit publik dhe mediatik, të artikulojnë politika të qarta, të matshme dhe të realizueshme për mbrojtjen. Kjo nënkupton jo vetëm objektiva, por edhe kosto, afate dhe mekanizma zbatimi. Vetëm kështu mbrojtja del nga sfera e deklaratave dhe hyn në territorin e përgjegjësisë reale.
Në fund, çështja nuk është thjesht sa para shpenzon një shtet për mbrojtjen, por sa seriozisht e merr vetë idenë e mbrojtjes. Dhe pikërisht këtu matet dallimi midis një politike që reagon pas ngjarjeve dhe një politike që përgatitet për to. Kosova sot nuk ka mungesë vetëm të debateve për mbrojtjen; ajo ka nevojë për parti politike që e kuptojnë se sovraniteti nuk mbrohet me slogane zgjedhore, por me plan, me dije dhe me vendime të guximshme qeveritare.