NËPËR FILM

Edicioni i 13-të i festivalit “Anibar” vjen me temën “Superstitions”

Drejtoresha e Festivalit ndërkombëtarë të filmit “Anibar”, Arba Hatashi, ishte e ftuara e radhës në emisionin “Nëpër Film”. Ajo zbuloi hollësi rreth edicionit të 13-të të ngjarjes së veçantë kinematografike e cila zë vend në qytetin e Pejës.

“Tash jemi në fazën kur i kemi përfunduar të gjitha përgatitjet për festival dhe jemi në prag të lansimit të programit, programeve speciale, prezencës së mysafirëve që na vizitojnë në këtë edicion, por në të njëjtën kohë edhe hapjes së thirrjeve të ndryshme për t’u përfshirë në ‘Anibar’, qoftë si pjesë e stafit, si vullnetarë apo edhe si pjesëmarrës të ndryshëm në programet e edukimit dhe aktiviteteve tjera që do të zhvillohen në këtë edicion”.

“Anibari” sivjet vjen i organizuar me temën “Superstitions” apo “Besëtytnitë”. Drejtoresha e festivalit e zbuloi kuptimin prapa kësaj teme mjaft unike.

“Kemi vendos që edicioni i 13-të i festivalit t’i dedikohet besëtytnive, dhe në të njëjtën kohë që ai të fillojë me datën 13 të muajit korrik. Fatkeqësisht nuk i bije e premte por do t’i festojmë të gjitha besëtytnitë si diçka që na bashkojnë me njëri-tjetrin, mirëpo në të njëjtën kohë edhe lënë hapësirë për diskutimin e çështjeve të rëndësishme në të cilat nganjëherë ne si popull jemi të prirë t’iu besojmë më shumë se fakteve që tashmë ekzistojnë”.

Sipas Hatashit, interesimi i njerëzve për t’i prezantuar filmat në garën e festivalit por edhe për t’u bërë pjesë e programeve të tjera, ka qenë shumë i madh. Kjo ka bërë që programi i sivjetmë i “Anibarit” të jetë mjaft i pasur në të gjitha aspektet.

“‘Anibari’ sa i përket aspektit të programimit të cilin e realizojmë gjatë një edicioni të festivalit, tashmë ka një reputacion të mirë edhe në mesin e festivaleve të tjera që zhvillohen në Evropë por edhe kontinente të tjera. Në këtë rast e kemi një numër shumë të madh të të interesuarve për të qenë të përfshirë brenda festivalit, për sa i përket filmave, por në të njëjtën kohë edhe në realizimin e programit në përgjithësi”.

Por, synimi kryesor i organizatorëve të kësaj ngjarjeje mbetet zhvillimi i industrisë së animacionit në Kosovë, thotë Hatashi.

“I gjithë programi i këtij edicioni, përveç garës së filmave, do të jetë i fokusuar në zhvillimin e industrisë së animacionit në Kosovë. Ne si ‘Anibar’ qe 13 vjet punojmë me përfaqësimin e mediumit të animacionit, qoftë në formatin artistik apo si formë e edukimit të gjeneratave të reja. Prandaj i gjithë programi, duke filluar nga prezantimet, master-klasat profesionale që kanë me qenë në dispozicionin e gjithë të interesuarve, apo punëtoritë ku do të punohet me grupmosha të ndryshme, do të fokusohet në këtë aspekt. Do të jenë gjithsej katër punëtori me teknika të ndryshme dhe profesionistë ndërkombëtarë prezent për t’i udhëhequr ato”.

Festivali ndërkombëtarë i filmit të animuar, “Anibar”, zhvillohet nga data 13 deri më 19 korrik në Pejë.