NËPËR FILM

Filmi i Blerta Bashollit, “Zgjoi” do të shfaqet në rrjete kinemash në tri kontinente

 

Filmi i regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi”, tashmë mund të konsiderohet filmi i parë në Kosovë që ka një shitje të gjerë. Rrëfimi që vë në pah mbijetesën si shpresë në Kosovën e pasluftës, do të komunikojë pothuajse me gjithë botën, pasi që “LevelK”, kompania nga Danimarka e cila ka të drejtën e shitjes globale të “Zgjoit”, ka sjellë të martën te filmdashësit një lajm të mirë. Kjo kompani ka arritur disa marrëveshje me distributorë të njohur në Amerikën Veriore, Evropë e madje edhe në Azi.

“Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli ishte një kulminacion i këtyre viteve të fundit dhe normalisht jemi gëzuar shumë, është diskutuar në media dhe është festuar edhe nga publiku. Faza e distribuimit të mëtutjeshëm apo shpërndarjes së filmit, është një hap i natyrshëm me një sukses të tillë. Në njëfarë mënyre ky konsiderohet një gëzim dhe shpërblim i jashtëzakonshëm, sidomos për faktin se një storje e tillë sikur ajo që e trajton filmi ‘Zgjoi’, po shpërndahet dhe do të shihet nga miliona njerëz në të gjithë rruzullin”, tha Lum Çitaku, zyrtar për komunikim me publikun në Qendrën Kinematografike të Kosovës.