NËPËR FILM

Për herë të parë në 19 vjet të organizimit, “DokuFest 2020” vjen online

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, i është përgjigjur situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke u organizuar në formatin online.

Drejtuesit e festivalit më të madh në vend, duke ndjekur paqartësitë që po e përcjellin krizën globale të shkaktuar nga pandemia, si dhe duke pasur parasysh njoftimet e fundit të Qeverisë, kanë vendosur që edicioni i 19-të të bartet në sferën digjitale.

producentes së “Dokufestit”, Alba Cakalli, deri para një muaji stafi realizues i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kinematografike, ishte përgatitur për një edicion që ishte quajtur hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, e tjetra nëpër kinema. Por gjërat kanë ndryshuar sërish.

Alba tutje tregoi se “DokuFesti” do të mbahet nga 7 deri me datën 25 gusht, në një platformë online të krijuar enkas për këtë edicion, në bashkëpunim me “Festival Scope” dhe “Shift72”.

Janë gjithsej 90 filma të cilët vijnë nga 51 vende të botës dhe do të konkurrojnë në 8 seksione garuese. Risi e këtij viti është programi i ri garues “TRUTH” për filmat mes zhanrit të dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese.

Këtë vit temë e “DokuFestit” është “Transmisioni” dhe sipas organizatorëve, përmes saj në shumë mënyra do të vihet në pah tranzicioni nëpër të cilin po kalon shoqëria, teksa kuptohet që bota dhe çdo gjë po transformohet shumë shpejt.

Për fund, Cakalli tregoi që sikurse gjithë dashamirët e filmit dhe ndjekësit e festivalit, edhe qytetarët e Prizrenit janë mërzitur për faktin se këtë vit, nuk do të ndihet atmosfera e zakonshme që “Dokufesti” e sjell nëpër rrugët e qytetit.