Arbëri

Sveçla: Rama po sfidon Qeverinë e Kosovës

Kryetari i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar kryetarin Përparim Rama se “në një farë mënyre” po i sfidon vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Të mërkurën, MAPL-ja i ka shpallur të pavlefshme vendimet që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike i kanë ndërmarrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u shkarkua kryesuesi Fehmi Kupina dhe pushteti riktheu anëtarët e vet në bordet e ndërmarrjeve publike.

Sveçla ka thënë se vendimet e seancës së jashtëzakonshme të 8 qershorit, ku opozita emëroi aksionarët e rinj në ndërmarrjet publike, u publikuan me një muaj vonesë në faqen zyrtare. Për këtë fajësoi kryetarin Rama, për të cilin ka thënë se “ka urdhëruar administratën” që ta bllokonte një gjë të tillë.

“Ajo çfarë për neve e papranueshme janë veprimet e Ramës qysh pas përfundimit të seancës të 8 qershorit. Nëse pretendojnë se e kanë shumicën, nuk e kuptoj pse marrin veprime të tilla joligjore, siç është publikimi i vendimeve të cilat MAPL-ja i ka vlerësuar që nuk prodhojnë asnjë efekt juridik. Mund të ftojnë seanca të rregullta. Mund të mbajnë seanca të tjera, por jo në këtë mënyrë, duke e sfiduar në një mënyrë edhe Qeverinë dhe vendimet e MAPL-së. Çfarë precedenti të rrezikshëm mund të krijojë kjo. Mund të vendos ndonjë kryetar, le të themi kryetari i Graçanicës, vendos diçka që nuk është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, dhe pastaj thotë se nuk mërzitem për opinionin e MAPL-së, unë këto vendime i njoh si të ligjshme. Ky është precedent i rrezikshëm dhe pres që MAPL-ja t’i marrë masat e nevojshme të mos krijojnë asnjë efekt juridik, siç kanë thënë në opinionin e tyre”, ka thënë ai në emisionin “038” të KTV-së.

Të martën e shkuar, gjatë fjalimit të kryetarit Përparim Rama, partitë në opozitë nisën të rrihnin tavolinat dhe të bënin zhurmë. Në ato momente, Kupina u shpreh se “nuk janë kushtet” për mbajtje të seancës dhe e shpalli të mbyllur seancën. Përgjigja ishte e menjëhershme nga pushteti. Kryetari Rama arsyetohej se shumica është e pranishme dhe se janë kushtet për mbajtje të seancës. Pas largimit të Kupinës dhe opozitës, partitë në pushtet vazhduan mbledhjen dhe shkarkuan Kupinën si dhe shfuqizuan vendimin e mëhershëm për shkarkim të aksionarëve komunalë në bordet e ndërmarrjeve publike, vendime këto që i hodhi poshtë MAPL-ja.

I pyetur për fotografinë e tij me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi dhe këshilltarin Arianit Beqiri, Sveçla ka thënë se ata i ka shokë dhe nuk ka pas ndonjë ndikimin në vendimin e MAPL-së.

“Unë i kam shokë dhe dalë me ta. Nuk është ministri Krasniqi që jep opinionet ligjore. Ka njerëz aty që punojnë me vite”, ka thënë ai.