Mbyllja për qarkullim e një pjese të rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë, shkaku i zgjerimit të rrjetit të ngrohtores, krijoi kolona të gjata e tollovi në komunikacion. Qytetarët shprehën ankesa për vonesa e pritje, përderisa punimet në segmentin nga “Shtëpia e Sporteve” deri te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë edhe të dielën
Një punëtor gjatë ditës së shtunë ka qëndruar në mes të rrugës “Agim Ramadani” në kryeqytet për t’iu dhënë instruksione ngasësve se deri në cilën pjesë të saj mund të lëvizin lirshëm. Ai i informoi ata për mbylljen e segmentit nga “Shtëpia e Sporteve” deri te ndërtesa e Kuvendit.
Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur për qarkullim të automjeteve gjatë së shtunës dhe të dielës, shkaku i punimeve të “Termokosit” për zgjerimin e rrjetit të ngrohtores.
E për radhët e gjata të veturave nëpër rrugët anësore, të krijuara si pasojë e ndalesës së qarkullimit në këtë pjesë, qytetarët shprehën ankesa.
“Katastrofë. Ju a po e shihni se si është komunikacioni këtu. Kjo është katastrofë. Kështu nuk ka qenë kurrë. Me këto rrugë na mbytet krejt”, ka thënë Xhavit Sekiraqa.
E qytetari tjetër, Hekuran Gjonbalaj, ka kërkuar që punimet të mos zhvillohen gjatë ditës.
“Nuk punohet në pikë të ditës në kolonë. Jo vetëm kolonë, po edhe kur po i bllokojnë rrugët e po e prenë asfaltin, po dëmtohen edhe gomat e plotë gjëra të tjera”, ka thënë Gjonbalaj.
“Kur ka punë që duhet të kryhen patjetër duhet të gjinden rrugë të tjera. Këtu masakër është bërë me këtë hapësirën për biçikleta që këtu në javë ndoshta një deri në dy biçikleta kalojnë. Është ngushtuar rruga. Në Evropë nuk lejohet kjo. Madje ajo pjesa e mesme nuk ka nevojë të ekzistojë fare”, ka thënë qytetari tjetër.
Për t’i shpëtuar kolonës, ishte një veturë e Policisë që gjeti një zgjidhje më të lehtë përmes përdorimit të sirenës, duke i tejkaluar veturat e tjera në radhë.
“Termokosi” që nga e enjtja ka paralajmëruar mbylljen e kësaj rruge për qarkullim gjatë fundjavës.
“Ndërprerja e qarkullimit në këtë rrugë ka qenë e domosdoshme për të mundësuar kyçjen në gypin kryesor të ngrohjes për 62 objekte banesore me 767 njësi banimi të lagjes në afërsi të Parkut të Qytetit, si dhe pjesës së qytetit të vjetër te rruga ‘Bajram Kelemendi’”, thuhet në njoftimin e “Termokosit”.
Për shkak të mbylljes së këtij segmenti, për të shtunën dhe të dielën është ndryshuar edhe linja e qarkullimit të autobusëve urbanë, të cilët do të përdorin rrugë të tjera alternative.