Arbëri

Bileta ditore më e kërkuara në “Trafikun Urban”, krijon tollovi në autobusë

Qytetarët kanë mirëpritur idenë e “Trafikut Urban” për biletë 80-centëshe, që zgjat për 24 orë dhe me të mund të shfrytëzohen të gjitha linjat publike për atë periudhë kohore.

“Po më pëlqen ky vendim për njerëzit e varfër, shumë ide e mirë”, ka thënë Fidaim Berisha.

“Edhe mua po më pëlqen kjo ide për këtë biletë ditore pasi është shumë e lirë. Unë tanimë kam filluar edhe ta përdori biletën 24-orëshe”, ka deklaruar Halime Berisha.

Komunarët kanë thënë se pas analizës që kanë bërë, është parë që një qytetar i Prishtinës e përdor transportin publik më shumë se një herë dhe kjo i ka shtyrë për ta vendosur një biletë ditore prej 0.80 eurosh.

“E kur jemi te biletat sipas analizës që e kemi bërë del që qytetarët e Prishtinës e shfrytëzojnë më shumë se në një drejtim transportin publik. Duke u bazuar në këtë kemi vlerësuar dhe kemi ardhur në një biletë ditore e cila e ka koston 0.80 eurosh, që mund të shfrytëzohet në 24 orë në të gjitha linjat e trafikut urban. E që ky i fundit shkon mbi 10 mijë kilometra në 24 orë. Ideja ishte që të stimulohen qytetarët që ta përdorin transportin publik dhe nuk ka pasur të bëjë me kalkulimin financiar sepse ne kemi vendosur ta subvencionojmë transportin publik. Në mënyrë që qytetarët t’iu ikin veturave sepse tani po kemi edhe kaos në trafik”, ka deklaruar drejtori i Shërbimeve publike, Ilirik Musliu.

Në ndërmarrjen publike komunale “Trafiku Urban” kanë konfirmuar se bileta ditore ka bërë ndryshim në interesimit të qytetarëve pasi që si e tillë vlen 24 orë dhe në të gjitha linjat e kompanisë publike.

“Trafiku Urban po hynë në muajin e tretë të implementimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për çmimoren e re të biletës ditore. Tani për tani vërehet që ka një numër të lartë të qytetarëve të cilët po vendosin ta përdorin transportin urban e në veçanti biletën prej 0.80 eurosh. Në çdo stacion po vërehet se kemi numër të madh të qytetarëve për faktin se ka interesim për këtë biletë”, ka thënë Kujtim Bërbatovci, menaxher në “Trafikun Urban”. “Realisht po shkakton edhe tollovi në autobusë sepse ka fluks të madh të njerëzve, por ne me kapacitetet tona ofrojmë shërbim të plotë për qytetarët. Rritja e numrit të autobusëve dhe dizajnimi i linjave të reja, do të mundësonte qarkullim më të lehtë të komunikacionit”.

Për ta përballuar numrin e kërkesës nga qytetarët, komunarët kanë thënë se zgjedhje janë autobusët e rinj që pritet të vijnë.

“Ju e dini që ne e kemi në proces të reformimit trafikun urban. Po e përfshi këtu edhe flotën e re prej 30 autobusëve, kontratë kjo të cilën e kemi nënshkruar me BERZH-in, 6 prej tyre do të jenë elektrik. Pjesë e kësaj është edhe sektori privat të cilët mendohet të hyjnë nën ombrellën e komunës dhe të bëhet edhe me ta kontrata sikurse me trafikun publik urban, pra të paguhen për kilometër. Do të bëhet edhe shtimi i linjave të reja, sepse zonat rurale janë pak të përfshira në transportin publik”, ka deklaruar Musliu.

Bileta ditore erdhi pas rritjes së çmimit për biletën njëdrejtimshe nga 40 në 50 centë.